Arrigo Sacchi, një nga legjendat e shkollës italiane të trajningut thekson se futbolli italian në këtë moment ka dy probleme thelbësore që sipas tij janë paratë dhe taktika. Sacchi, shprehet se futbolli italian duhet t’i besojë më shumë të rinjve ndërsa shtoi se është i zhgënjyer pasi edhe në këtë sezon Serie A është mbushur me lojtarë të huaj.
“Duke ndjekur olimpiadën ajo që më vjen natyrshëm për të thënë është se atletët tonë janë dukshëm më superiorë se futbollistët. Kemi tetë vite që nuk shkojmë në Botëror dhe kjo do të thotë se ka një problem.
Unë nuk mbaj mend prej sa kohësh në futbollin italian nuk iu besohet më të rinjve, shoh gazetat dhe kuptoj se edhe këtë sezon Serie A do të jetë e mbushur me të huaj. Nëse mendoni se kjo është rruga e duhur atëherë vazhdoni… Unë mendoj se duhet të ndjekim një tjetër rrugë.
Duhet të zgjohemi, futbolli italian ka dy probleme të mëdha, paratë dhe taktikën. Nëse kërkon të arrish larg duke shpenzuar pak, atëherë ka vetëm një mënyrë, të përqëndrohesh te loja e bukur, shpirti i garës dhe motivimi. Kombëtarja në Europian e tregoi se duhet të nisim të mendojmë për ide të reja”, u shpreh Sacchi.