Shefja e diplomacisë kosovare, Vjosa Osmani, rezulton se gjatë vitit 2024 dhe gjashtë mujorin e parë të sivjetëm, ka zhvilluar vizita të shumta, pjesëmarrje nëpër samite, forume e takime në shtete të ndryshme, duke filluar nga shtetet e rajonit e deri në Amerikë e Azi, me synim që të shtyjë përpara agjendën diplomatike të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Meqë, Kosova ka përfaqësi diplomatike në shtete njohëse dhe jo vetëm, KALLXO.com që nga muaji korrik i këtij viti ka kërkuar qasje në shpenzimet që kanë mbuluar ambasadat dhe konsullatat e Kosovës gjatë vizitave të presidentes Osmani në dy vitet e fundit. Por, për shkak se përfaqësitë diplomatike janë nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), të dhënat janë kërkuar pikërisht nga kjo ministri.
Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com nga MPJD, tregojnë se për vizitat që ka zhvilluar presidentja Osmani me stafin e saj në gjashtë mujorin e parë, misionet diplomatike kanë paguar 78,758.14 mijë euro gjithsej. Kurse, për vizitat që e para e shtetit ka zhvilluar në vitin 2024, ambasadat dhe konsullatat kanë shpenzuar gjithsej 220,574.37 mijë euro.
Më së shumti gjatë këtyre dy viteve, në bazë të përllogaritjeve, shpenzimet gjatë vizitave të presidentes Osmani janë mbuluar nga Konsullata në New York, Ambasada në Paris dhe Konsullata në Mynih – vende këto që kanë standardin më të lartë të jetesës.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, pagoi 92,090.72 mijë euro në vitin 2024 për vizitën zyrtare të Osmanit në Këshillin e Sigurimit, Javës së Lartë të Asamblesë të Kombeve të Bashkuara dhe vizitat tjera zyrtare në këtë shtet gjatë vitit të kaluar.
Ambasada në Francë, shpenzoi 36,886.64 euro në vitin 2024 për presidenten Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku (të dy tashmë në detyrë) dhe një zv.ministre- për vizitë zyrtare gjatë Lojërave Olimpike. Të tjerat shpenzime u kryen për pjesëmarrjen në Samitin e Frankofonisë dhe në inaugurimin e Katedralès Notre Dame gjatë vitit 2024. Kurse, 12,309.00 euro u paguan nga kjo Ambasadë, gjatë vizitës së Osmanit në Francë për Samitin e Inteligjencës Artificiale në 2025.Në Washington, Ambasada ka paguar gjithsej 38,366.77 euro, gjatë vizitave të ndryshme zyrtare të presidentes Osmani në SHBA në periudhën kohore 2024-2025.
Konsullata e Përgjithshme në Mynih ka mbuluar 11,239.95 euro në vitin 2024 gjatë pjesëmarrjes së presidentes Osmani në Forumin Alpbach që mbahet në Austri gjatë vitit 2024 dhe për shpenzime tranzit; si dhe, 4,029.98 në vitin 2025 pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Në vitin 2024, Ambasada në Berlin, ka paguar 10,313.00 euro gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë dhe për takime bilaterale me “deputetë dhe miq gjerman” në vitin 2024; si dhe 9,403.12 euro gjatë pjesëmarrjes së Osmanit në World Forum dhe për takime bilaterale në vitin 2025.
Në vitin 2024, Konsullata e Përgjithshme në Milano të Italisë ka paguar 1,023.00 euro, pasiqë me përfundimin e konferencës, në ditën kthimit të Presidentes në Kosovë, më 27 qershor 2024, Konsullata në Milano ka organizuar vizitë zyrtare të Presidentes Osmani.
Në Ankara, Ambasada ka mbuluar disa shpenzime të presidentes Osmani me staf në Forumin Diplomatik të Antalias, 55 euro në 2024; dhe, 224.64 euro në vitin 2025.
Kurse, Konsullata në Bern të Zvicrës ka mbuluar 1,266.89 euro gjatë pjesëamrrjes së Osmanit në Konferencën e Paqes me Ukrainën në vitin 2024; dhe, 2,420.94 euro të tjera për një vizitë shtetërore në vitin 2025. Ndërkaq, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Cyrih ka mbuluar 1,010.52 euro gjatë një vizite shtetërore të presidentes Osmani në vitin 2024. Ndërsa, në vitin 2025, Konsullata në Gjenevë ka mbuluar 5,529.47 euro për vizitë pune dhe pjesëmarrje në Seminarin “Trashëgimia e Martii Ahtisaarit.”
Ambasada në Kolumbi ka mbuluar 4,344.23 euro për vizitën e presidentes Osmani për inagurimin e Ambasadës në Bogota në nëntor 2024. Në Panama, Ambasada ka shpenzuar 1,872.12 euro për vizitën zyrtare të presidentes Osmani në Panama dhe ndër to edhe shpenzimet për inagurimin e Ambasadës në Kolumbi në vitin 2024.
Ambasada në Çeki ka paguar 2,302.32 euro për pjesëmarrjen e Osmanit në Forumin GLOBSEC 2024.
Gjatë vizitës së presidentes Osmani në inagurimin e Ambasadës në Kuala Lumpur, Ambasada e Kosovës në Malajzi ka paguar 5,386.47 euro.
Ambasada në Tiranë ka paguar 731.70 euro në vitin 2024 në Samitin e Tiranës dhe kalime tranzit përmes Rinas, dhe 69.57 euro për vizitën në Krujë gjatë 2025.
Gjatë pjesëmarrjes së presidentes Osmani në Forumin e Sigurisë Ndërkombëtare, Ambasada në Kanadë ka mbuluar 724.39 euro në vitin 2024.
Ambasada në kryqendrën europiane, në Bruksel, pagoi 1,331.00 euro në vitin 2024 për takime në Këshillin Europian dhe pjesëmarrjen në Samitin e BE-Ballkanit Perëndimor.
Kurse, ajo në Romë shpenzoi 772.50 euro për vizitë zyrtare gjatë vitit 2024. Kurse, 2,602.00 euro për transport për pjesëmarrjen në ceremoninë mortore të Papa Franceskut në 2025, të presidentes Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Ambasada në Japoni pagoi 13,719.00 euro gjatë vizitës së Osmanit për vizita të ndryshme në Japoni gjatë vitit 2025.
Ambasada në Stokholm, pagoi 2,941.40 në vitin 2024 gjatë vizitës së Osmanit; dhe 300 të tjera në vitin 2025, përgjatë vizitave të presidentes Osmani në Finlandë dhe në Letoni.
Konsullata e Përgjithshme në Kopenhagë shpenzoi 962.73 gjithsej për vitin 2024 dhe 2025 gjatë takimeve zyrtare të presidentes Osmani.
Në bazë të dhënave publike, gjatë vizitave zyrtare janar-nëntor 2024, Presidenca e Kosovës ka deklaruar se janë shpenzuar gjithsej 333,962.94 euro, përfshirë presidenten, këshilltarët dhe të deleguarit e posaçëm.
Nga institucionet qendrore të Kosovës, buxhetin më të vogël në vitin 2025 e ka pasur Zyra e Presidentes me 4.2 milionë euro. Kurse, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka 49.4 milionë euro buxhetin e sivjetëm.
Presidenca në disa përgjigje për media të caktuara online kishte deklaruar se Ministria e Punëve të Jashtme iu dha afat misioneve diplomatike të Kosovës që të hartojnë raportet me “informata të detajuara” mbi shpenzimet e presidentes Vjosa Osmani në udhëtimet e saj jashtë shtetit, duke e quajtur “metodë të ulët”.
KALLXO.com ka dërguar kërkesën për qasje në dokumente publike në institucionin e Ministrisë së Jashtme, që i ka nën menxhim përfaqësitë diplomatike me kërkesën e vetme, që të ofrohet qasje në “Faturat e shpenzimeve të ambasadave gjatë vizitave/takimeve kur ka qenë e pranishme presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në shtetet respektive gjatë dy viteve të fundit”.
Sidoqoftë, KALLXO.com nuk ka arritur t’i sigurojë këto shpenzime vetëm përmes kërkesës së drejtuar MPJD-së, por rastin e ka dërguar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP). Qasja në këto shpenzime u dha tek më 6 tetor 2025- tre muaj më vonë.
“Presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend. Asnjëherë nuk ka pasur diçka që nuk është e vërtetë sa i përket publikimit të çdo shpenzimi. Jemi plotësisht transparentë dhe do ta mbrojmë me krenari çdo punë dhe angazhim për punën e Republikës së Kosovës. Pyetja juaj ka të bëjë me çështje teknike”- qe përgjigjur ajo më 22 korrik kur u pyet nga mediat.
Në vitin 2022, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka publikuar grafikë të cilët, sipas tij, tregojnë për ulje të shpenzimeve në dreka, karburante, për akomodim dhe bileta jashtë vendit.
Sipas Kupinës, presidentja gjatë vitit 2021 ka ulur shpenzimet në mënyrë drastike.
KALLXO.com ka publikuar ndër vite shpenzimet e Presidencës.
Sidoqoftë, presidentja Osmani, nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse nuk rikandidon edhe për një mandat për postin më të lartë në vend, mund të prezantojë një ofertë politike të re. Ajo e ka konfirmoi se është e interesuar për mandatin e dytë, duke paralajmëruar se paraprakisht do të bisedojë me partitë politike. Dhe, nëse partitë nuk i japin mbështetje, atëherë ka thënë se do të përballet me to në zgjedhje.
“Do të ulem e do ta shqyrtoj se çka është në interesin e Republikës së Kosovës. A është në interes të Kosovës, që të jem këtu dhe të flas me të gjitha partitë politike për një mundësi të tillë, në qoftë se donë. Në qoftë se nuk donë, atëherë dal në zgjedhje dhe përballemi me zgjedhje. Secili prej nesh ia ofrojmë ofertën tonë qytetarëve të Kosovës. Është vendim i tyre pastaj. Në qoftë se dëshirojnë qytetarët është shumë mirë, në qoftë se nuk dëshirojnë është sërish në rregull. Unë fare nuk e marr afër zemrës. Nuk bahet nami. Politikanët shkojnë e vijnë. Edhe ne do të shkojmë një ditë”- tha Osmani më 11.09.2025, kur u pyet nga gazetarët në lidhje me atë se a do të garojë sërish për pozitën e të parës së shtetit.
Mandati i presidentes përfundon në prill 2026, pasiqë i njëjti filloi me më 04.04.2021. Ajo e mori besimin e Kuvendit të Kosovës si e para e vendit me 71 vota për, nga 82 deputetë të cilët morën pjesë në votim.
Osmani, Presidentja e dytë grua në historinë e vendit, është e gjashta në listën e krerëve të vendit nga paslufta e këndej.