DUM SPIRO, SPERO
Sa kohë që marr frymë, shpresoj
Nga Daniell D. Ukaj – Psikolog Klinik
10 Shtatori – Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve
DUM SPIRO, SPERO Sa kohë që marr frymë, shpresoj Nga Daniell D. Ukaj – Psikolog KlinikDUM SPIRO, SPERO Sa kohë që marr frymë, shpresoj Nga Daniell D. Ukaj – Psikolo
g Në jetë ka shumë vendime ose eksperienca që, edhe kur nuk shkojnë mirë, ne mund t’i korrigjojmë. Kemi një shpresë që mund t’i korrigjojmë dhe më pas punojmë për t’i përmirësuar. Disa situata me të cilat përballemi mund të na bëjnë të ndjehemi të pafuqishëm për t’i tejkaluar për shkak të rrethanave, qofshin ato të jashtme ose të brendshme, të cilat na dobësojnë deri në atë pikë sa mund të marrim vendime jo të duhura dhe të cilat nuk mund të korrigjohen, sepse pasojat janë të përhershme. Vetvrasja është një prej tyre.
Gjatë kohës që po e lexoni këtë artikull, dikush në botë ka zgjedhur t’i japë fund jetës duke kryer vetvrasje. Ky është një fakt tronditës dhe një prej fenomeneve më tragjike që njeh historia e njerëzimit. Kurdo dhe kushdo që ka dëgjuar për një vetvrasje, ndjehet me tmerr, pafuqishmëri dhe një ndjenjë enigmatike. Ajo shpesh na lë të habitur, edhe për faktin që ekziston një potencial i tillë, por edhe për faktin se apriori e dimë se sa e bukur është jeta, sa shumë luftohet për të jetuar, për t’ia dalë kurdo që na kërcënohet jeta. Por statistikat tregojnë se rreth 800,000 njerëz në vit, ose një person në çdo 43 sekonda, zgjedh të japë fund jetës së tij duke kryer vetvrasje. Çfarë ndodh me këta individë? A kanë humbur ata erosin – instinktin për të luftuar për jetën? A kanë humbur mahnitjen për të bukurën? Shpresën për ditë më të mira? Shpresën se kriza do të kalojë? Shpresën se do të ndjehen të dashur, të pranuar dhe të lumtur? Çfarë është ajo gjë që, edhe pse jo fizike, i çon këta individë drejt këtij akti fatal – vetvrasjes?
Sikur gjithçka tjetër, për ta kuptuar më qartë e më mirë duhet ta definojmë konceptin mbi të cilin po flasim. Kur flasim për vetvrasjen, ajo është një vdekje tragjike ku personi vullnetarisht dhe me qëllim zgjedh t’i japë fund jetës së tij. Shpeshherë psikologët përpiqen ta evitojnë pyetjen pse, por në të njëjtën kohë ajo mbetet pyetja më e shpeshte: Pse dikush kryen vetvrasje? Pse vetvrasja? Njeriu është natyrë komplekse, dhe zgjedhjet që ai bën janë të tilla, komplekse. Si rrjedhojë, një akt i tillë është më kompleks sesa shumë situata të tjera. Për të thënë se nuk mund të thjeshtëzohet dhe reduktohet përgjigjia e kësaj pyetjeje në një arsye ose në një faktor. Mund të jenë një seri faktorësh që nxisin fillimisht mendimet vetvrasëse, planifikimin për vetvrasje dhe çojnë individin drejt aktit të vetvrasjes. Duke filluar prej faktorëve individual, atyre social, gjenetik e psikologjik si: tentativa vetvrasese në të kaluarën, histori vetvrasjeje në familje, histori traume ose abuzimi, abuzimi me drogerat dhe alkoolin, çrregullime të humorit si depresioni ose çrregullimi bipolar, bullizmi, izolimi social, stigma ose paragjykimi për të kërkuar ndihmë, humbjet e ndryshme etj. Pra, pavarësisht se ka disa arsye, edhe arsyet mund të jenë shumë specifike përse dikush mendon të vrasë veten, por ajo shpesh ndodh kur:
- Dhimbja emocionale që ata po përjetojnë është e padurueshme
- Mungesa e përkatësisë – ata ndihen se nuk përkasin në këtë botë
- Ata ndjehen se janë barrë për njerëzit që i rrethojnë
- Ata nuk shohin një mënyrë tjetër për të zgjidhur problemet
Për psikologë të ndryshëm ekzistojnë faktorë të ndryshëm që shkaktojnë dhimbjen psikologjike dhe për të cilët ekziston një lidhje e fortë mes dhimbjes psikologjike dhe vetvrasjes. Bakan (1) vëzhgoi se kjo dhimbje vjen si rrjedhojë kur individi ndahet nga tjetri që është shumë i rëndësishëm për të. Sandler (2), një psikolog tjetër, e definon dhimbjen psikologjike si një gjendje afektive e lidhur me diskrepancën ose mos-përputhjen ndërmjet perceptimit ideal dhe aktual që individi ka për veten, dmth mes asaj që ka ëndërruar dhe asaj që ka realizuar. Bumeister (3), në punimin e tij “Vetvrasja si arratisje nga vetvetja”, e sheh dhimbjen psikologjike si një gjendje të neveritshme emocionale, si rezultat i përvojave të rënda negative që janë jo-kompatibile me pritshmëritë dhe nevojat e personit dhe për të cilat individi e fajëson veten. Sipas tij, vetëdija e individit është se ai është i mangët, i paaftë dhe fokusi ekstrem te ky zhgënjim bën që të pushojnë pasojat afatgjata të vdekjes. Sipas tij, krejt ajo që dëshiron personi në këtë situatë është të shpëtojë nga kjo ndjenjë e neveritshme emocionale. Edwin S. Schneidman (4), një psikolog tjetër, në “Vetvrasja si psikike: një qasje klinike ndaj sjelljes vetëshkatërruese” arriti në përfundime se sado që mund t’i kategorizojmë njerëzit për sa i përket çrregullimeve psikiatrike ose stresit socio-ekonomik, rruga drejt vetvrasjes është gjithmon individuale dhe karakterizohet nga lëndimi, ankthi, hidhërimi, dhimbja psikologjike në psikikë, në mendje. Që në thelb është psikologjike – dhimbja e turpit, ose fajit, ose poshtërimit, ose vetmisë, ose frikës, ose ankthit, ose frikës nga plakja, nga vdekja e keqe, ose çfarëdo tjetër. Dhe sipas tij, kur kjo ndodh, realiteti është introspektivisht i pamohueshëm. Dhe vetvrasja ndodh kur psikika konsiderohet e padurueshme nga ai person në atë moment.
Pra, po flasim për një shqetësim të thellë që lind nga shkaqe jo fizike si: dëshpërimi, humbja, trauma, faji, turpi, vetmia, frika, ankthi, poshtërimi, refuzimi, e konflikte të ndryshme të pazgjidhura. Për ta ilustruar edhe më mirë, dhimbja psikike është një formë vuajtjeje që mund të rendojë aq shumë në mendje dhe në shpirt sa dhimbja fizike i shkakton trupit. Dhe krejt kjo dhimbje psikike ndikon në mënyrën sesi e shohim botën, krijojmë marrëdhënie me të tjerët dhe si e përjetojmë veten tonë, identitetin tonë. Por për dallim nga dhimbja fizike, dhimbja psikologjike është e padukshme tek njerëzit rreth nesh, duke mos e marrë kështu vëmendjen e mjaftueshme dhe duke e bërë më sfidues adresimin dhe shërimin e saj. Plaga është e brendshme. Dhimbja psikike po ashtu bën që të ulet ndjeshmëria e dhimbjes fizike, dhe për rrjedhojë personat me dhimbje psikike disa herë e kanë më të lehtë të dëmtojnë veten, e edhe në një moment të kryejnë vetvrasje.
E parë kështu, duket se mund të bëjmë pak ose shumë pak për të parandaluar vetvrasjen. Por kjo nuk është e vërtetë. Ne të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka për ta reduktuar dhe parandaluar. Duke njohur faktorët e rrezikut, si dhe njohja e shenjave paralajmëruese, mund të ndihmojë në parandalimin e vetvrasjeve. Prandaj, edhe fokusi i këtij shkrimi është ky: cilat mund të jenë shenjat paralajmëruese të vetvrasjes dhe çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar këta individë?
Kur flasim për shenjat paralajmëruese për vetvrasjen, studimet tregojnë se këta individë shfaqin disa sjellje ndryshe, shfaqin disa mendime negative për veten dhe botën, dhe shfaqin besime negative ose pa shpresë për të ardhmen. Ata flasin ose shkruajnë më shumë për vdekjen në përgjithësi, vdekjen e tyre ose vetvrasjen. Bëjnë komente që mund të jenë direkte ose indirekte për të qenurit të pashpresë, të pandihmë dhe të pavlefshëm. Duke e shprehur edhe se nuk kanë një arsye për të jetuar, dhe se “bota do të ishte më e mirë nëse unë nuk do të isha”. Ndjejnë se janë barrë për të tjerët. Terhiqen nga aktivitetet që më parë u kanë dhënë kënaqësi, terhiqen nga shokët dhe familja. Ndryshime të theksuara në humor. Abuzimi me alkoolin apo drogerat. Ndërmarrja e veprimeve të rrezikshme etj.
Pavarësisht se plaga është e brendshme dhe dhimbja jetohet në fshehtësi, individi me mendimet vetvrasëse manifeston ndryshime në stilin e jetesës. Por duhet theksuar se jo çdo ndryshim që shohim tek njerëzit rreth nesh do të thotë se ata po mendojnë vetvrasjen, por çdo ndryshim mund të jetë një shkas për të shkuar drejt këtyre personave, komunikuar hapur me ta, pa i gjykuar dhe pa frikë. Kjo për të thënë se jo çdo ndryshim që mund të vërejmë tek njerëzit e dashur duhet të na panikosë, ose të na frikësojë se ky person do të vrasë veten, por që në çdo ndryshim që mund të shohim tek njerëzit e dashur, ne mund t’i pyesim: Si janë? Si po ndihen? Nëse po i shqetëson diçka? Nëse mund t’i ndihmojmë diçka? Nëse kanë nevojë për diçka? Të themi se jam këtu për ty! Njeriun e shëron marrëdhënia empatik, kujdesi, dashamirësia, ndjenja e të qenurit i dashur dhe siguria se dikush e do.
Përveç shenjave paralajmëruese, ka edhe disa hapa që ndihmojnë për të parandaluar vetvrasjen. Në botë, pothuajse në çdo shtet ekzistojnë Linja të Jetës (LifeLine (5)), që janë qendra për parandalimin e vetvrasjeve. Linjë që ndodhet dhe në Kosovë, Linja e Jetës.. Ku individë në situata krize mund t’i kontaktojnë ata në mënyrë anonime dhe falas për të biseduar mbi mendimet vetvrasëse dhe idetë vetvrasëse. Këto qendra, të mbështetura në shumë studime, kanë hartuar një plan 5 hapësh që ndihmon për parandalimin e vetvrasjeve.
E para është pyetja. Ekziston një mit se nuk duhet të flasim për vetvrasjen dhe se nuk duhet të pyesim sepse rrezikojmë ose nxisim individë për të kryer vetvrasje. Studimet tregojnë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne duhet të pyesim dhe në situata të caktuara duhet të pyesim në mënyrë të drejtpërdrejtë: “A ke menduar të vrasesh veten?” Edhe pse është një pyetje që kërkon kurajo dhe guxim, ajo shpëton jetë. Duke pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmon që personi të shprehë dhimbjen emocionale dhe gjithashtu ndihmon për të kuptuar seriozitetin e situatës dhe për të ndihmuar.
Hapi i dytë është mbështetja, që të qëndrosh pranë fizikisht ose virtualisht. Duke kuptuar më shumë për arsyet dhe mënyrat. Por edhe nëse ndjeheni në siklet dhe nuk dini si të veproni, mund ta shprehni afërsinë tuaj thjesht duke qëndruar afër, kështu ndihmoni që ai të ndjehet i lidhur me dikë dhe jo i izoluar. Gjithashtu mund të kërkoni ndihmë për të nga dikush që e konsideroni më të përshtatshëm dhe ndihmues. Nuk duhet të ndjeheni në faj për këtë, sepse jemi para një vendimi jete a vdekje dhe nuk mund ta mbani sekret.
Secili që mendon për vetvrasjen ka një plan si ta kryejë atë. Hapi i tretë se si mund të ndihmojmë është duke e mbajtur personin larg gjërave që përbëjnë kërcënim për të. Duke zvogëluar aksesin në mjetet vdekjeprurëse ndihmojmë në parandalim.
Hapi i katërt është mbajtja e lidhjes me burime të caktuara si: komuniteti, psikolog, udhëheqës shpirtëror etj. Nëse mendimet dhe krizat mund të rikthehen, individi të ketë një plan sigurie; kur ai ndodhet në këtë situatë, të dijë ku mund të drejtohet, dhe ne mund të ndihmojmë duke e lidhur me këto burime.
Hapi i pestë dhe i fundit ndihmues që mund të bëni është të jeni prezent në jetën e tij në mënyrë të vazhdueshme, duke e vizituar, telefonuar, lënë një mesazh. Edhe një gjest i vogël ndihmon dhe mund të ndikojë shumë në uljen e rrezikut të vetvrasjes. Fakti që jeni aty për atë, do të thotë shumë.
Në përgjithësi, ne mbështetemi te arsyeja jonë, emocionet tona dhe përvojat e kaluara për të marrë vendimet e duhura. Edhe kur disa vendime rezultojnë të gabuara, ne mund t’i ndryshojmë situatat. Disa vendime nuk mund të korrigjohen. Vetvrasja është një prej tyre. Prandaj, mënyra e vetme për të ndryshuar diçka është duke jetuar, mënyra e vetme për të përmirësuar diçka është duke jetuar, mënyra e vetme për të mësuar është duke jetuar.
Sikur thotë shkrimtari dhe teologu i shquar britanez, C.S. Lewis: “Mos e shkatërroni veten, sepse nëse jetoni, mund të keni ende fat të mirë.”
Secili mund të kalojë momente të vështira, por ato momente nuk duhet të përcaktojnë fatin tuaj. Momentet e vështira janë të ndryshueshme, emocionet tona janë të ndryshueshme, besimet për veten tonë mund të ndryshojnë, mundësitë për të realizuar ëndrrat tona mund të ndryshojnë. Poezia, kënga, dielli, zogjtë, deti mund të shijohen sërish, kur ti je, kur ti vendos për jetën.
Ari sprovohet në zjarr. Njeriu bëhet më i fortë kur kapërcen dhimbjen. Kërkesa për ndihmë nuk është dobësi. Dhimbja nuk është dobësi. Prandaj, kërko ndihmë tek një profesionist, një mik ose familjar. Por mbi të gjitha, SA TË KESH FRYMË, SHPRESO.
Referencat
- Bakan, D. (1968). Psychological pain and suicidal behavior. Journal of Abnormal Psychology, 73(6), 569–576. https://doi.org/10.1037/h0026736
- Sandler, I. N. (1972). Psychological pain and suicidal behavior. Journal of Abnormal Psychology, 80(3), 234–237. https://doi.org/10.1037/h0033340
- Baumeister, R. F. (1990). Suicide as escape from self. Psychological Review, 97(1), 90–113. https://doi.org/10.1037/0033-295X.97.1.90
- Schneidman, E. S. (1993). Suicide as psychache. Journal of Nervous and Mental Disease, 181(3), 145–147. https://doi.org/10.1097/00005053-199303000-00001
- LifeLine International. (n.d.). LifeLine International | Suicide Prevention and Crisis Support. https://lifeline-international.com/
- Linja e Jetes/ Suicide Prevention – Kosove