Përgatiti: Afrim Kasolli
Nëse partia në pushtet gjatë kësaj fushate në masë të madhe e ka orientuar strategjinë e saj vetëm në sulme personale ndaj rivalëve të saj, partitë opozitare në anën tjetër kanë tentuar të konkurrojnë më një program ekonomik qeverisës, që do ta bënte Kosovën “utopinë e së ardhmes”. Kështu këto të fundit janë treguar tej mase gjeneroze sa i përket premtimeve të tyre elektorale.
Me këtë rast, Partia Demokratike Kosovës ka premtuar deri në 6 miliardë euro investime kapitale dhe zhvillimore nëse ajo do ta drejton qeverinë e ardhshme. Por jo vetëm kaq. Do të rriten pagat për 50 % në sektorin publik, 70 % në pensionet bazike, dhe 50% rritje të përfitimeve për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së. Ndërkohë, si masa stimuluese ekonomike janë përmendur ndryshimi i praktikës së deritanishme të pagesës të TVSH-së për mallrat e importuara në kufi.
Për ta lehtësuar këtë barrë të bizneseve, mbledhja e TVSh-së do të bëhet pasi bizneset ta kenë shitur produktin. Ndërkohë, ndërmarrjet e vogla me qarkullim vjetor deri në 10 000 €, do të jenë të liruara nga tatimi. Po ashtu, bizneset që investojnë mbi 500 000 euro apo punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara kohore. Pra sipas këtyre parametrave nën qeverisjen e PDK-së, do të kemi tatime me pak dhe të ardhura më shumë.
Një projekt të tillë ambicioz për të ardhmen ekonomike të vendit e ka shpalosur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet programit të saj të quajtur “Rruga e re”. Kjo parti ka premtuar që nën drejtimin e saj vendi të ketë një rritje ekonomike deri në 5 për qind çdo vit, konstatim ky që i sfidon edhe parashikimet e Bankës Botërore, sipas së cilës rritja ekonomike e Kosovës do të jetë deri në 4 për qind. Këtë objektiv ajo pretendon ta jetësojë duke zhbllokuar potencialin investues të Kosovës nëpërmjet investimeve publike dhe atyre private. Nëse ajo e fiton mbështetjen qytetare për të drejtuar vendin është zotuar për të investuar deri në 5 miliardë euro. Ndërkaq, pa humbur shumë kohë, që në javën e parë të qeverisjes koeficienti i pagave do të ndryshojë nga 110 euro në 150 euro. Kurse asnjë pension nuk do të jetë nën 150 euro. Krahas ndryshimeve tjera në politikat tatimore po ashtu, LDK po ashtu ka premtuar heqjen e TVSH-së për shportën bazë të konsumit dhe heqja e TVSH-së në energji elektrike”.
Sa i përket ofertës gjenroze për rritje të pagave nuk ka mestuar pas as kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka pohuar se AAK zotohet për nisjen me 150 euro koeficientin. Por po ashtu nuk do të ketë pagë nën 1 mijë euro.
Mirëpo shtrohet pyetja se janë të realizueshme këto premtime. A mos janë ato vetëm një fontanë dëshirash të momentit, për të joshur qytetarët? Apo edhe mund të bëhen reale?
Analistë të ndryshëm kanë hedhur dyshime se këto premtime mund të jetësohen plotësisht në bazë të kushteve aktuale buxhetore. Madje, mund të jenë rruga e duhur që do ta transformonin ekonomikisht vendin? Pak ditë më parë analisti, Shenoll Muharremi, ka shkruar se planet e LDK-së, në masë të madhe janë vetëm investime në beton dhe nuk janë zgjidhja e duhur për sfidat ekonomike të Kosovës. Për më tepër ajo qasje“është aplikuar më herët, sepse e ka bërë Hashim Thaçi me projekte gjigante të infrastrukturës me miliarda gjithashtu. Ne duhet të kishim mësuar diçka nga eksperiencat e kaluara. A i adreson kjo qasje nevojat e ekonomisë së Kosovës? A është investimi me kthim optimal? Ne duhet të i shikojmë parametra ekonomik dhe të shohim se cilat janë nevojat. E investimi vetëm në infrastrukturë nuk është investimi më i duhur”, ka shkruar ndër të tjera Muharremi.
Kurse po ashtu dje i njëjti analist, ka hedhur dyshime mbi potencialet buxhetore të vendit për të realizuar programin e PDK-së. Sipas, Shenoll Muharremit, në përgjithësi, “programit të PDK-së i nevojiten rreth €19.2 Miliardë (€19,218,364,683) për të zbatuar programin e tij qeverisës. Sipas trendeve dhe të dhënave reale, qeveria e ardhshme e Kosovës do të i ketë në dispozicion rreth €16.2 Miliarë (€16,203,845,292). Por nëse e integrojmë koston e uljes së taksave apo reformën e politikës fiskale të PDK, ky buxhet në fund mund të jetë rreth €15.4 Miliardë euro për vitet 2025-2028.” Pra kësaj partie i mungojnë deri në 4 miliardë euro për t’i realizuar premtimet saj.
Në anën tjetër, Korab Rashiti, deputet shqiptar ne Kantonin e Bernit, nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social, ka shkruar “çdo kandidat që gjatë fushatës premton rritjen e pagave, pensioneve, ndihmave familjare apo përfitimeve të tjera, pa treguar hapur se këto do të financohen përmes rritjes së TVSH-së, tatimeve apo barrës fiskale për disa në favor të të tjerëve, nuk po ofron një të ardhme të qëndrueshme ekonomike”. Duke vepruar në këtë mënyrë ata po sillen sipas asaj qe ka pohuar Frédéric Bastiat se “shteti është një trillim i madh ku secili përpiqet të jetojë në kurriz të tjetrit”. E nga ajo që u tha më lartë shihet qartë se asnjëra nga partitë opozitare nuk kanë mundur t’i shmangen kësaj kontradikte.
Adresimi i këtyre pamundësive opozitare është mbase i nevojshëm për ta diskutuar si duhet atë që na shfaqet si alternativë ndaj pushtetit. Mbase qytetarët e Kosovës kanë shumë arsyeje të jenë të frustruar e të zemëruar ndaj dështimeve të këtij të fundit. Mirëpo, siç kanë dëshmuar zgjedhjet lokale në Komunën e Prishtinës, kur ato u fituan nga Përparim Rama, nuk mjafton vetëm mobilizimi kundër dickaje, kur mungon një projekt racional për të ardhmen. Sepse shoqëria në këtë mënyrë mbetet peng i së njëjtës logjikë të prapakthimit./tvarbëria/