Vështrim nga TV Arbëria – Liderët rajonalë të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut për të diskutuar për “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimin më të Shpejtë në BE”.
Takimi mbahet nën drejtimin e kryeministri të këtij shteti, Dimitar Kovacvski. Prezent do të jenë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Nga Bashkimi Evropian, drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë. Kurse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Siç dihet, Komisioni Evropian, e kishte miratuar një plan të tillë ambicioz me synim rritjen ekonomike për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kurse me qëllim të realizmit të tij po ashtu ky trup i politikës së Bashkimit Evropian pat propozuar një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliradë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.
Kështu, shuma prej 2 miliardë eurosh do të shkonte si asistencë pa kthim, ndërsa ajo prej 4miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale, shkruante atëbotë REL.
Kurse në këmbim të këtyre përfitimeve gjashtë shtetet e rajonit do të detyrohen të kryejnë reforma strukturore mbi disa shtylla themelore sikur se; “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal dhe përshpejtimi i reformave fondamentale sikur se ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit”, me qëllim tërheqjen e investimeve direkte të huaja.
Në këtë kontekst, në funksion të agjendës për integrimin e rajonit të paktën deri në vitin 2030, atëherë strukturat e BE-së, aspirojnë që ta krijojnë edhe një mekanizëm shtesë, përkundër atyre që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim.
Mirëpo, në dallim nga kriteret e përbashkëta me shtetet tjera, Kosova e ka edhe një kriter shtesë, së bashku me Serbinë, atë të progresit në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke u bazuar në Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe planin e sekuencimit në Ohër.
Dhe pikërisht stagnimi në këtë proces dhe tensionet në pjesën veriore ndikuan që Kosova të vendoset nga masa ndëshkuese nga Brukseli, ku sipas të gjitha gjasave suspendimi i tyre tashmë do të jetë i lidhur me gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë, ekpsertë të ndryshëm kanë pohuar, se Kosova për shkak të këtyre masave humbjet ekonomike për vendin mund të kapin shifrën deri në 500 milionë euro.
Prandaj, gjasat janë shumë të vogla që Kosova të ketë përftime në këtë fazë nga ky plan i rritjes ekonomike të BE-së për rajonin pa zbatimin e detyrave që dalin nga marrëveshjet me Serbinë. Në fund të fundit Kosova i ka humbur edhe ato mjete që tashmë i ka të dedikuara nga programi i IPA-s, për shkak të masave sanksionuese.
/TV Arbëria