Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sa i ka gjasat Ramush Haradinaj që të bëhet President i ri i shtetit?

Sa i ka gjasat Ramush Haradinaj që të bëhet President i ri i shtetit?

Shkruan: Afrim Kasolli

Para pak dite, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i drejtimit të partisë. Ky akt sipas tij, erdhi si pasojë e reflektimit mbi rezultatin jo te mirë zgjedhor, sidomos të atyre të jashtëzakonshme që u mbajtën me 28 dhjetor.

Me këtë rast, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se gradualisht do tërhiqet edhe nga jeta partiake. Por i njëjti nuk e ka fshehur dëshirën që të jetë President i shtetit. Pozitë kjo e cila duhet të plotësohet më se largu deri me 4 mars nëse skena politike dëshiron t’i shmang zgjedhjet e reja parlamentare. Po ashtu, vete Ramush Haredinaj ka shprehur besimin se nëse i njëjti nominohet si kandidat i përbashkët i opozitës i ka gjasat serioze ta fitojë poziten shumë lakmuar.

 

Megjithatë, është iluzore të pritet që në këto rrethana që partitë opozitare në kundërshtim me vullnetin pushtetit, të kenë mundësi të kenë sukses në imponimin e kandidatit të tyre për President.

Përkundrazi, në bazë të disa kushteve të caktuara ka me shumë gjasa që Ramush Haradinaj të jetë kandidat shumë më i preferuar i partisë fituese të zgjedhjeve sesa Vjosa Osamani. Deri më tani Albin Kurti nuk ka qenë i qartë në këtë temë. Ai vetëm ka premtuar se do të bisedojë si me të parën aktuale të shtetit, ashtu edhe me partitë opozitare. Mirëpo, deri më tani nuk është vërejtur asnjë lëvizje publike në këtë drejtim.

Megjithatë, nuk duhet harruar faktin se Albin Kurti pavarësisht retorikës për konsum të brendshëm që e mban, ai është i vetëdijshëm se nuk do të ketë shansa ta ketë asnjë sukses ndërkombëtar për shtetin pa i zbatuar detyrimet që i ka pranuar në procesin e negociatave me Serbinë me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Dhe nuk ka dyshim se nyja gordiane e këtyre obligimeve mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, pas konfirmimit të fitores gati plebishitare në zgjedhjet e fundit, tashmë të gjithë reflektoret e qendrave te vendosjes janë kthyer ka ai, duke ia bërë të ditur se adresa mbetet e qartë.

Në këtë kontekst, mund të jetë kalkulim i tij se me Ramush Haradinajn si President do ta ketë shumë më te lehtë ta kapërdije këtë kafshatë të hidhur politike.

Ndërkohë, edhe ky i fundit, nuk është që nuk ka dhënë shenja të kompromiseve të kësaj natyre kur ka qenë në pyetje pozicioni i tij personal. Sepse të gjithëve na kujtohet se si nga njërin prej kundërshtarëve më të ashpër të Demarkacionit me Malin e Zi, u shndërrua në zbatuesin e asaj marrëveshje me t’u bërë kryeministër.

Me këtë rast, ka gjasa që edhe njëherë të përputhen për mrekulli agjendat e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinaj, sikur në vitet 2015-2017. Kuptohet me një dallim. Ngase tash për ta zbatuar atë pjesë të marrëveshjes që atëbotë e patën luftuar me të gjitha mjetet, politike e jo politike.