Ruzhdi Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj një tubimi të fundit, duke akuzuar organizatorët për keqpërdorim të emrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të çlirimtarëve për qëllime politike.
Sipas Kryeziut, megjithëse në tubim është përmendur shpesh UÇK-ja dhe është përdorur slogani “ta qajmë rrethimin”, nuk ka qenë e qartë se për çfarë rrethimi bëhet fjalë dhe kush e ka shkaktuar atë. Ai e cilëson këtë si manipulim të opinionit publik.
Kryeziu shpreh neveri të veçantë ndaj, siç thotë ai, përpjekjeve për të përmendur çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e PDK-së që po mbahen në Hagë, duke i akuzuar disa individë se po gënjejnë qytetarët me pretendime për bashkim politik dhe përfaqësim në Kuvend.
“Po rrejni e po mashtroni, duke thënë se jeni më PDK se të tjerët dhe se gjoja do të bëheni bashkë në parlament – një gjë që as në ëndërr nuk do ta shihni”, ka shkruar Kryeziu.
Ai kritikon edhe mungesën e simboleve të UÇK-së në tubim, duke e quajtur mungesë respekti dhe ndjeshmërie ndaj sakrificës së luftës.
“Si nuk ju ka shkuar mendja as një flamur të vetëm të UÇK-së ta vendosni, në shenjë respekti?”, përfundon reagimin e tij Kryeziu, duke i quajtur organizatorët “rrencë”.