Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ruzhdi Kryeziu: Deklaratat e Limajt janë manipulim i votës së PDK-së

Ruzhdi Kryeziu: Deklaratat e Limajt janë manipulim i votës së PDK-së

Sekretari i PDK-së në Malishevë, Ruzhdi Kryeziu, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili së fundmi ka pohuar se “çdo votë për Nismën është votë për PDK-në”.

Sipas Kryeziut, kjo deklaratë përbën “mashtrim të pastër politik” dhe një përpjekje për, siç thotë ai, keqpërdorimin e elektoratit të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk është e vërtetë dhe nuk ka qenë kurrë e tillë që vota për Nismën të jetë votë për PDK-në. Kjo është një tentativë për të shpërndarë konfuzion tek votuesit e PDK-së,” ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka shtuar se Limaj po përpiqet të mbijetojë politikisht duke përdorur slogane emocionale dhe duke manipuluar ndjenjat e qytetarëve, të cilëve, sipas tij, ua ka thyer besimin në të kaluarën.

Kryeziu ka kritikuar gjithashtu sloganin e përdorur nga Limaj “Votomeni, se vetëm kështu e çajmë rrethimin!”, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe fyes. Sipas tij, krahasimi i proceseve demokratike me “rrethime” përbën deformim të realitetit politik dhe historik.

“Rrethimin e vërtetë e ka përjetuar ky popull nga forcat serbe, jo nga vullneti i lirë i votuesit dhe proceset demokratike,” ka theksuar ai.

Në reagimin e tij, Kryeziu ka kujtuar se PDK-ja është parti që, sipas tij, ka dalë nga lufta e UÇK-së dhe nga sakrifica për liri, ndërsa ka akuzuar Limajn për tradhti politike për shkak të ndarjes së tij nga kjo parti në të kaluarën.

“Vota për Nismën është votë vetëm për Nismën dhe jo për PDK-në,” ka përfunduar Kryeziu, duke u bërë thirrje votuesve që, nëse duan një PDK të fortë dhe pa pazare politike, ta mbështesin drejtpërdrejt këtë parti.


Reagimi i plotë i Ruzhdi Kryeziut:

“Propagandë për mbijetesë politike: Fatmir Limaj dhe e vërteta e votës

Deklarata e Fatmir Limajt se ‘çdo votë për Nismën është votë për PDK-në’ është mashtrim i pastër politik dhe një përpjekje e ulët për ta keqpërdorur elektoratin e PDK-së. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka qenë kurrë e tillë.

Fatmir Limaj po tenton të mbijetojë politikisht duke shpërndarë konfuzion dhe duke luajtur me ndjenjat e votuesve që dikur i ka tradhtuar. Ai e ka pasur shansin dhe mbështetjen, por njëherë e ka thyer besimin e votuesit të PDK-së, dhe historia nuk fshihet me fjalime boshe e slogane mashtruese.

Së fundmi, ai po e përsërit shpesh një slogan të rrezikshëm dhe të qëllimshëm: ‘Votomeni, se vetëm kështu e çajmë rrethimin!’

Por për cilin rrethim e ke fjalën, Fatmir? Çfarë po paralelizon me këtë fjali? A po e krahason situatën politike me rrethimin që dikur ia bënin këtij populli forcat paramilitare serbe? A po na thua se je i ‘rrethuar’ si atëherë dhe se duhet ta ‘çajmë’ këtë rrethim përmes votës për ty?

Jo, Fatmir.

Këto krahasime janë të papranueshme dhe fyese. Rrethimin e vërtetë e ka përjetuar ky popull nga Serbia, jo nga proceset demokratike dhe vullneti i lirë i votuesit.

PDK-në – partinë që doli nga lufta e UÇK-së, nga gjaku, sakrifica dhe lufta për liri – ti dikur e tradhtove për ambicie personale. Sot nuk mund të fshihesh pas sloganeve emocionale e metaforave të rreme për ta shpëtuar karrierën tënde politike.

Propaganda jote sot nuk ka për qëllim forcimin e PDK-së, por shpëtimin tënd personal.

Kush e njeh politikën e di mirë: vota për Nismën është votë vetëm për Nismën dhe jo për PDK-në.

Çdo votë për PDK-në është votë për mirëqenie, zhvillim dhe jetë më të mirë. Çdo përpjekje e Fatmir Limajt për ta paraqitur ndryshe është manipulim i hapur.

Prandaj, thirrje e qartë për votuesit e PDK-së: Mos bini pre e propagandës dhe fjalimeve të Fatmir Limajt. Mos lejoni që vota juaj të shndërrohet në mjet për ambicie personale. Nëse e doni PDK-në të fortë, të pastër dhe pa pazare politike – votoni vetëm PDK-në.”**

— Ruzhdi Kryeziu, Sekretar i PDK-së në Malishevë