Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka vlerësuar Kosovën si një partner të rëndësishëm, duke i dhënë theks të veçantë përmirësimit të situatës së sigurisë.
“Natyrisht, Kosova është një partner i rëndësishëm, por ju e dini gjithashtu se ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, prandaj ekziston ky ndërlikim. Megjithatë, mendoj se për momentin gjëja më e rëndësishme është që të bëjmë gjithçka për të siguruar që KFOR-i të jetë sa më i fortë”, ka deklaruar ai.
Rutte tha se sipas vlerësimit të NATO-s, situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar gjatë viteve të fundit.
“Për këtë arsye është marrë vendimi që KFOR-i të kthehet në nivelet që kishte para vitit 2023 sa i përket numrit të trupave. Aktualisht ka rreth 4,700 trupa dhe, në varësi të rrethanave, KFOR-i do të mbetet ende me një prani të konsiderueshme prej 3,000 deri në 3,500 trupash, duke vepruar natyrisht në bazë të mandatit dhe kornizës aktuale ligjore”, ka thënë Rutte.