Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Rusia vazhdon terrorin

Rusia vazhdon terrorin

Shkruan: Agron Hoti- Kur Putini nga viti 2000 deri në 2022 po e fuste BE-në çdo ditë e më shumë nën kontrollin rus, ishin të shumtë liderë e politikanë kalibri vendesh të BE-së që po e shihnin atë si modelin e një lideri; disa i shkuan për të punuar në dhe përrrreth kabinetit të tij, disa e ftonin nëpër ahengje e dasma, disa ia mirëprisnin oligarkët që të shpëlanin qindra miliarda EUR në tokën e BE-së, disa orientonin investimet drejt Rusisë, disa blenin naftë e gaz rus jashtë çdo standardi, kurse po kjo BE-në që Ballkanit i kërkonte standarde, nënshtrohej çdo vit e më shumë para jo-standardeve ruse.

Për ta shtrirë edhe më shumë ndikimin dhe për ta rritur kontrollin mbi BE e Ballkan, Putini po përdorte kaosin, sepse në kaos humb arsyeja e gjykimit të shëndoshë qytetar, ndaj është më së lehti të veprohet me kartën e përçarjes dhe polarizimit brutal, ku i miri quhet i keq dhe i keqi i mirë.

E për ta ndërprerë sa më shpejtë këtë rusizim të tmerrshëm të BE-së, SHBA sapo me shpejtësi u tërhoq nga Afganistani për ta shpëtuar BE-në menjëherë i tha Ukrainës “na ke mbrapa, rezisto përballë Rusisë, pavarësisht çmimit”. Dhe lufta në Ukrainë ua kthjelli shumë shpejtë mendjet e rusizuara të shumë evropianëve, të cilët duke e parë Rusinë si model qeverisjeje me duar të hekurta po e mbështesnin faktorizimin e Serbisë në kurriz të shqiptarëve.

Ishte vërtetë e dhimbshme t’i shihje evropianët ta quanin Vuçiçin pishtar të demokracisë, ndërsa Hashim Thaçin me shokë si kriminelë lufte, ndërkohë që ishin vetë evropianët që kishin bombarduar Serbinë e Vuçiçit për ta ndalur gjenocidin serb ndaj popullit të Hashim Thaçit me shokë. Pra, këta evropianë  që po rusizoheshin po e demonizonin Hashim Thaçin me shokë për ‘gabimin’ e vetëm që kishte bërë ky me shokë duke u kryengritur kundër pushtimit e terrorit shekullor serb dhe për të cilin ‘gabim’ tërë Perëndimi e kishte mbështetur bile duke e quajtur UÇK-në e drejtuar nga Thaçi me shokë si guerilen më të suksesshme në glob.

Dhe ja tash, evropianët janë bërë edhe më shumë esëll kur Putini terrorizoi dhe vrau liderin e opozitës ruse, Navalny. Bile evropianët tash yrysh po vrapojnë t’i japin armë Ukrainës, sepse e kanë kuptuar që po ra Ukraina, Rusia menjëherë do t’u ‘trokasë’ dyerve të BE-së dhe NATO-s.

Sa më e gjatë lufta në Ukrainë, aq më të mëdha humbjet ekonomike të Rusisë; sa më shumë humbje ekonomike aq më në panikë do të jetë qeveria ruse për ta parandaluar trazirat e brendshme; sa më shumë dhunë kundër trazirave të brendshme aq më e fortë do të bëhet rezistenca kundër Putinit; sa më e fortë rezistenca aq më shumë do t’i lëkundet karriga e Putinit gjersa të shpërthejë dhuna gjithëpopullore ku Rusia më s’do të ngelet as fuqi rajonale siç është sot; sa më e dobët Rusia aq më e dobët Serbia. Dhe është pikërisht ky lajmi i mirë i shqiptarëve.

/TV Arbëria