Shërbimi rus i sigurisë FSB ka revokuar akreditimin e gjashtë diplomatëve britanikë në Moskë, veprimet e të cilëve tha se treguan shenja të punës spiunazhi dhe sabotimi.
FSB tha të premten se kishte dokumente që tregonin se një departament i Ministrisë së Jashtme Britanike në Londër po koordinonte atë që e quajti “përshkallëzimin e situatës politike dhe ushtarake” dhe kishte për detyrë të siguronte humbjen strategjike të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Kështu, faktet e zbuluara japin bazë për të konsideruar aktivitetet e diplomatëve britanikë të dërguar në Moskë nga drejtoria si kërcënuese për sigurinë e Federatës Ruse”, tha FSB në një deklaratë.
“Në lidhje me këtë, në bazë të dokumenteve të ofruara nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë dhe si përgjigje ndaj hapave të shumtë armiqësorë të ndërmarrë nga Londra, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, në bashkëpunim me agjencitë e interesuara, ka ndërpreu akreditimin e gjashtë anëtarëve të departamentit politik të ambasadës britanike në Moskë në veprimet e të cilëve u gjetën shenja spiunazhi dhe sabotimi”.
Gjashtë diplomatët u identifikuan në televizionin shtetëror rus, i cili gjithashtu tregoi fotografi të tyre.
Një punonjës i FSB tha për Rossiya-24: “Anglezët nuk i morën parasysh sugjerimet tona për nevojën për të ndaluar këtë praktikë [të kryerjes së aktiviteteve të inteligjencës brenda Rusisë], kështu që ne vendosëm t’i dëbojmë këta gjashtë në fillim”.