Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Rusia prodhon tri herë më shumë municione artilerie për ushtrinë e saj sesa SHBA-të dhe Evropa së bashku për Ukrainën

Rusia prodhon tri herë më shumë municione artilerie për ushtrinë e saj sesa SHBA-të dhe Evropa së bashku për Ukrainën

Rusia është duke prodhuar gati tri herë më shumë municione artilerie se sa SHBA dhe Evropa së bashku, një avantazh ky tejet domethënës përpara ofensivës së re që ushtria ruse planifikon ta zhvillojë në Ukrainë, shkruan CNN.

Rusia është duke prodhuar rreth 250,000 municione artilerie në muaj, ose rreth 3 milionë në vit, sipas vlerësimeve të inteligjencës së NATO-së. Kurse së bashku, SHBA dhe Evropa kanë kapacitetin për të gjeneruar vetëm rreth 1.2 milionë municione në vit për t’i dërguar në Kiev, ka deklaruar një zyrtar i lartë i inteligjencës evropiane.

“Faza në të cilën jemi aktualisht është edhe një luftë prodhimi” i ka pohuar një zyrtar i lartë i NATOS-së për CNN. Pra në “fund të fundit rezultati në Ukrainë do të varet nga kapacitetet e së cilës palë për ta zhvilluar këtë luftë”. Kështu, sipas informacioneve zyrtare Rusia aktualisht po e gjuan me rreth 10,000 predha në ditë, krahasuar me vetëm 2,000 në ditë nga pala ukrainase. Raporti është më i keq në disa vende përgjatë frontit prej 600 miljesh, shkruan ndër të tjera mediumi në fjalë.

Ndërkohë, kjo mungesë e municioneve po vjen në një kohë tejet kritike dhe të rrezikshme për ushtrinë e Ukrainës, që kur ka filluar agresioni rus këtë vend. Kongresi në SHBA i ka bllokuar ndihmat e premtuara financiare dhe ushtarake nga Presidenti Biden.

E Rusia së fundmi e ka marrë nën kontroll edhe qytetin ukrainas Avdiivka dhe po shihet gjerësisht se ka iniciativën në fushën e betejës.

/TV Arbëria

Powered by WordPress