Zhurma e sirenave të alarmit zgjoi herët në orët e para të mëngjesit me qindra mijëra ukrainas.
Kjo pasi Rusia lëshoi një ndër sulmet më masive ndonjëherë: mbi 89 dronë pa pilotë fluturuan në tokën e Ukrainës, konfirmon mbrojtja ajrore ushtarake e Kievit, duke saktësuar se të gjithë janë rrëzuar.
“Armiku përdori të njëjtin numër Shahedësh si natën e ndërrimit të viteve më 1 janar”, lexohet në njoftimin ukrainas.
Shpërthime janë dëgjuar në rajone të ndryshme, përfshirë kryeqytetin Kiev. Por, autoritetet nuk kanë raportuar për të lënduar apo dëme materiale. Ky sulm vjen në një kohë kur Ukraina po rekruton deri në 30 mijë persona në muaj për ushtrinë.
Kështu raporton New York Times, që vlerëson se shifra është e përafërt me atë të Rusisë. Shumë prej të rekrutuarve të Ukrainës po kryejnë stërvitjet ushtarake përpara se të dërgohen në frontin e luftës. Kievi, ndërkohë, ka tentuar të kundërpërgjigjet me një sulm me dronë në rajonin rus të Kursk. Raportohet për një shpërthim dhe një zjarr në një ndërtesë.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Moska njoftoi nisjen e fazës së tretë të stërvitjeve mbi përdorimin e armëve taktike bërthamore, që përfshijnë edhe forcat e angazhuara në luftën në Ukrainë. Sipas asaj që deklarohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes në një komunikatë, “kjo fazë e ushtrimeve parashikon stërvitjen e sistemeve raketore Iskander-M dhe avionë të ndryshëm lufte”.