Rusia e ka shënjestruar Ukrainën me një tjetër valë raketash, një ditë pasi janë regjistruar sulmet më intensive ajrore prej nisjes së luftës.
Autoritetet lokale kanë raportuar se tre persona janë vrarë në këto sulme.
Alarmet ajrore janë lëshuar në orët e para të së martës, teksa vëzhguesit ukrainas kanë thënë se kanë vërejtur nisjen e raketave hipersonike.
Është raportuar edhe për sulme masive me dronë.
Forcat ajrore të Ukrainës kanë thënë se i gjithë shteti është nën rrezik prej një sulmi me armë balistike.
Në një deklaratë të lëshuar prej Ministrisë ruse të Mbrojtjes, është thënë se janë përdorur armë precize me bazë në tokë dhe në ujë, për t’i goditur stacionet e energjisë elektrike dhe infrastrukturën tjetër në Ukrainë, përfshirë rajonet e Kievit, Lvivit, Harkivit dhe Odesas.
Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në natën mes të dielës dhe të hënës, dhe dhjetëra tjerë janë plagosur, si pasojë e shënjestrimit të shumë rajoneve ukrainase me dronë dhe raketa.
Sulmet në infrastrukturën e energjisë kanë lënë shumë qytete në terr, si dhe janë prekur edhe furnizimet me ujë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka përshkruar sulmet si të “egra” dhe ka thënë se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë sistemin elektrik të Ukrainës.Sulmet e fundit po shihen si tentim i Moskës për të rikthyer kontrollin në konflikt, pasi Ukraina e ka shtrirë kontrollin në rajonin rus, Kursk.
Rusia e ka shënjestruar sistemin elektrik të Ukrainës prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë të hënën që t’i ndryshojnë rregullat dhe t’ia mundësojnë Ukrainës që t’i përdorë armët e tyre më thellë në Rusi.
Ukrainës i lejohet t’i përdorë disa armë të Perëndimit për të goditur shënjestra brenda Rusisë, por jo edhe armë me rreze të gjatë./REL