Forcat ruse goditën një qendër mjekësore në Sumy në Ukrainën verilindore të shtunën në mëngjes dhe më pas sulmuan sërish ndërsa ndërtesa po evakuohej, duke vrarë nëntë persona, thanë zyrtarët ukrainas.
Prokurorët ukrainas thanë se në kohën e sulmeve, 86 pacientë dhe 38 anëtarë të personelit ishin në spital.
“Sulmi i parë vrau një person dhe dëmtoi tavanet e disa kateve të spitalit”, tha ministri i Brendshëm Ihor Klymenko në Telegram. Ndërsa njerëzit po evakuoheshin, rusët goditën përsëri, duke vrarë pesë persona të tjerë, tha ai. Shërbimi ukrainas i emergjencave tha më vonë se nëntë persona u vranë dhe 10 u plagosën gjithsej.
“E gjithë bota duhet të shohë me vëmendje se ku po godet Rusia. Ata po vënë në shënjestër spitalet, objektet civile dhe jetët e njerëzve,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Telegram.
“Vetëm forca mund ta detyrojë Rusinë drejt paqes. Paqja përmes forcës është e vetmja rrugë e drejtë”, tha ai.
Administrata rajonale dhe forcat ajrore thanë se sulmi u krye me dronë. Sulmet ndaj qytetit Sumy dhe rajonit përreth tij janë bërë shumë më të shpeshta që kur forcat ukrainase nisën një operacion në rajonin Kursk të Rusisë në gusht. Qyteti Sumy ndodhet vetëm 32 km nga kufiri rus dhe forcat ruse kanë sulmuar rajonin dhe qytetin me dronë dhe bomba të komanduara.
Forcat ajrore ukrainase më herët të shtunën thanë se kishin rrëzuar 69 nga 73 dronë gjatë një sulmi rus gjatë natës që përfshinte dy raketa balistike dhe dy raketa kruz.
Rreth 15 dronë rusë u shkatërruan nga mbrojtja ajrore në kryeqytetin Kiev dhe në periferi të tij, tha administrata ushtarake atje./VOA