Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Rusia fillon një operacion të ri për të frenuar përparimin e trupave ukrainase në tre rajone ruse

Rusia fillon një operacion të ri për të frenuar përparimin e trupave ukrainase në tre rajone ruse

Moska nisi të shtunën një “operacion kundër terrorizmit” në tre rajone në kufirin me Ukrainën për të frenuar ofensivën më të madhe ndërkufitare të Kievit në konfliktin dyvjeçar. Njësitë ukrainase në një operacion befasues kaluan kufirin në rajonin perëndimor rus të Kurskut të martën në mëngjes, duke përparuar disa kilometra në brendësi të Rusisë, sipas vëzhguesve të pavarur.

Rusia ka dislokuar trupa dhe pajisje shtesë, duke përfshirë tanke, raketahedhës dhe njësi aviacioni për të ndalur përparimin e trupave ukrainase në tre rajone ruse në kufirin mes dy vendeve.

Komiteti kombëtar anti-terrorist i Rusisë tha të premten vonë se po fillonte “operacionet kundër terrorizmit në rajonet e Belgorodit, Brianskut dhe Kurskut për të garantuar sigurinë e qytetarëve.”

Sipas ligjit rus, forcave të sigurisë dhe ushtrisë u jepen kompetenca gjithëpërfshirëse emergjente gjatë operacioneve “anti-terroriste”.

Ky vendim i jep të drejt ushtrisë ruse të kontrollojë dhe sekuestrojë automjete, të mbikqyrë telefonatat, të ndalojë hyrjen e njerëzve në zona të caktuara, të vendosë pika kontrolli dhe të forcojë sigurinë në pikat kryesore të infrastrukturës.

“Në agjendën e këtij takimi të anëtarëve të përhershëm të këshillit të sigurisë kombëtare është një çështje shumë e rëndësishme lidhur me aspektet specifike të luftës kundër terrorizmit”, tha Presidenti rus Vladimir Putin.

Komiteti kundër terrorizmit tha se Ukraina kishte bërë një “përpjekje të pashembullt për të destabilizuar situatën në një numër rajonesh të vendit tonë”.

Ai e quajti inkursionin e Ukrainës një “sulm terrorist” dhe tha se trupat e Kievit kishin plagosur civilë dhe kishin shkatërruar ndërtesa banimi.

Udhëheqësit ukrainas nuk kanë bërë komente mbi operacionin në kufirin me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Kievit, thanë se nuk ishin informuar paraprakisht mbi planet për këtë operacion.

Por Presidenti Volodymyr Zelenskyy u duk se e quajti këtë një sukses të trupave të tij, duke thënë në fillim të kësaj jave se Rusia duhet të “ndiejë” pasojat e sulmit të tyre në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, që e filloi në shkurt të vitit 2022.

Në një video fjalim të premten në mbrëmje ai aludoi për operacionin në kufirin me Rusinë si një mision për të kapur të burgosur dhe më pas për t’i shkëmbyer ata me ukrainas të robëruar.

“Jam krenar për të gjitha brigadat tona luftarake! Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për luftëtarët dhe njësitë tona që po rimbushin ‘fondin e këmbimit’, duke i marrë pushtuesit si robër dhe duke ndihmuar kështu në çlirimin e popullit tonë nga robëria ruse. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ka qenë veçanërisht efektive gjatë tre ditëve të fundit. Ne duhet të lirojmë të gjithë njerëzit tanë që mbeten në robërinë ruse”, tha Presidenti Zelenski.

Ministria ruse e mbrojtjes publikoi të shtunën pamje të tankeve që gjuanin mbi pozicionet ukrainase në rajonin e Kurskut, si dhe një sulm ajror gjatë natës, pasi tha të premten se kishte dislokuar më shumë njësi në rajonin kufitar./VoA

Powered by WordPress