Ashtu siç dihej, por tashmë edhe haptas Rusia nuk po e fsheh interesimin dhe vëmendjen e saj karshi Gjykatës Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Maria Zabolotskaya, përfaqësuese e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në një konferencë ku po diskutohej për aktivitetet e mekanizmave të mbetur lidhur me gjykatat penale, e përmendi Gjykatën Speciale dhe kushtet që i ofron qendra e paraburgimit.
Sipas saj paraburgimi për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët është i butë. Ajo ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së e përdorin palestrën sportive, bibliotekën, dhomën e lutjeve e kështu me radhë.
Këto kushte të cilat konsiderohen elementare për të paraburgosurit, përfaqësueses ruse i janë dukur të tepërta.
Ajo e ka kundërshtuar po ashtu edhe vizitën e ish-presidentit Thaçi në Kosovë për shkak të prindërve që i kishte të sëmurë.
Përfaqësuesja ruse e ka vazhduar ligjërimin vajtues duke thënë se të dënuarit me kombësi serbe po diskriminohen kurse shqiptarët kanë privilegje.
“Regjimi i paraburgimit që Dhomat urdhëroi për tetë shqiptarë të Kosovës, përfshirë të ashtuquajturin ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, është sa më i butë. Ai përfshin të drejtën për të përdorur palestrën, bibliotekën dhe dhomën e lutjeve, për të ecur në zonën e caktuar dhe për të paguar mallrat dhe shërbimet me para nga një llogari e veçantë. Sanksionet për shkeljen e rregullave të regjimit janë gjithashtu shumë të buta: paralajmërim, gjobë monetare, heqje e përkohshme e disa privilegjeve. “Masa ekstreme” është një vendosje dy javore në izolim, por pa ndalim të telefonatave. Gjithashtu, vetëm në vitin 2022, personave të arrestuar iu lejuan 880 vizita (nga familjarë dhe të tjerë). Madje, në fund të majit dhe në fillim të shtatorit 2023, Hashim Thaçi u lejua të vizitojë Kosovën për të parë prindërit e tij të sëmurë. Kjo përkundër disa skandaleve të profilit të lartë që përfshinin frikësimin e dëshmitarëve në rastin e tij. Me fjalë të tjera, ne shohim një dallim të dukshëm në kushtet e paraburgimit ndërmjet të dënuarve serbë dhe shqiptarë të Kosovës. Ne besojmë se “diskriminimi” është fjala e duhur për të përshkruar këtë situatë. Kërkojmë që Mekanizmi të marrë masa për eliminimin e tij dhe t’u sigurohet të dënuarve serbë kushte adekuate për vuajtjen e dënimit”, kishte thënë ajo.
/TV Arbëria