Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Rumania i dërgon Ukrainës një sistem Patriot

Rumania i dërgon Ukrainës një sistem Patriot

Anëtarja e NATO-s, Rumania, i ka dhuruar Ukrainës një sistem të mbrojtjes ajrore, Patriot më 3 tetor, thanë zyrtarët e të dyja shteteve fqinje.

“E falënderoj çdo shtet që na ndihmon ne me mbrojtje ajrore. Një falënderim të veçantë për Rumaninë për sistemin Patriot. Së bashku mund të arrijmë efikasitet më të madh, ne mund t’i japim fund terrorit rus, duke rrëzuar bashkërisht dronët Shahed dhe raketat”, shkroi në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ndërkaq, Ministria rumune e Mbrojtjes konfirmoi për Radion Evropa e Lirës e sistemi Patriot është dërguar në Ukrainë.

“Mund të konfirmojmë se sistemi Patriot është dërguar në Ukrainë”, tha Constantin Spinu, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Rumanisë, pasi Qeveria në Bukuresht muajin e kaluar miratoi një projektligj për të mundësuar dërgimin e këtij sistemi në Kiev.

Sipas projektligjit, Rumania i jep të drejtën Ukrainës që të përdorë këtë sistem kundërajror.

Kievi po u kërkon aleatëve perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë armë moderne dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qiellin mbi Ukrainë, por edhe po kërkon që t’i lejohet që të sulmojë caqet ushtarake thellë brenda Rusisë. Ukraina ka argumentuar se duke sulmuar thellë brenda Rusisë do të parandalonte Moskën që të sulmojë nga distanca të largëta./REL

Powered by WordPress