Călin Georgescu dhe 21 persona të tjerë akuzohen se planifikuan dhunë pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale për shkak të ndërhyrjes së dyshuar ruse dhjetorin e kaluar.
Prokurorët rumunë ngritën të martën akuza ndaj politikanit ultranacionalist dhe favoritit në zgjedhjet e anuluara presidenciale të vitit të kaluar, Călin Georgescu, për përpjekje për grusht-shteti.
Sipas akuzës, Georgescu dhe 21 persona të tjerë planifikonin të rrezikonin sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit pas shpalljes së pavlefshme të raundit të parë të zgjedhjeve në nëntor, ku kandidati pro-rus kishte dalë fitues.
Në një intervistë për Euronews Romania, ish-prokurori i Përgjithshëm, Augustin Lazăr, tha se Georgescu mund të përballet me deri në 20 vjet burg nëse shpallet fajtor.
Një nga të dyshuarit e tjerë është Horațiu Potra, një mercenar që organizoi një grup paramilitar pas një takimi me Georgescu më 7 dhjetor, sipas prokurorëve.
Një ditë më herët, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë kishte anuluar raundin e parë të zgjedhjeve pas akuzave për shkelje elektorale dhe ndërhyrje ruse. Moska ka mohuar akuzat për ndërhyrje, ndërsa Georgescu ka hedhur poshtë çdo faj.
Në deklaratën e Prokurorisë thuhet se grupi paramilitar, i formuar nga Potra, planifikonte të nxisë përplasje dhe të kryente “veprime të dhunshme me natyrë subversive”.
Potra u arrestua më 8 dhjetor ndërsa udhëtonte drejt Bukureshtit me një grup burrash të armatosur, sipas mediave lokale. Ai raportohet se u lirua me kusht që të paraqitej në polici, por më pas u arratis nga vendi.
Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, prokurori i Përgjithshëm i Rumanisë, Alex Florența tha se vendndodhja e Potra-s është e panjohur, por se ai po përpiqet të kërkojë azil në Rusi.
Ai shtoi se Rumania ka qenë shënjestër e “fushatave të gjera hibride” nga Rusia gjatë vitit të fundit, me sulme kibernetike dhe dezinformata që synonin të ndikonin zgjedhjet.
Autoritetet e këtij vendi anëtar të BE-së dhe NATO-s në dhjetor deklasifikuan dokumente që pretendonin se Moska kishte organizuar një fushatë të gjerë në rrjetet sociale për të promovuar kandidaturën presidenciale të Georgescu-t./rtk