Florim Rullani nga Instituti Kosovar për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, ka vlerësuar se Kosova gjatë vitit 2025 po përballet me regres në disa fusha thelbësore, përfshirë diplomacinë, ekonominë dhe mirëqenien sociale të qytetarëve.
Në një intervistë për emisionin “N’pult” në Arberia TV, Rullani theksoi se situata aktuale reflektohet më së miri përmes largimit masiv të qytetarëve nga vendi, çka tregon për mungesë të përmirësimeve reale në jetën e përditshme.
“Kosova në vitin 2025 ka regrese edhe në diplomaci, por edhe në ekonomi dhe mirëqenie sociale. Këtë më së miri e dëshmon largimi i qytetarëve që po ndodh në një masë të madhe”, tha ai.
Sipas tij, Kosova ka nevojë urgjente për reforma dhe qasje konkrete, duke lënë pas teoritë pa rezultate.
“Në rrafshin diplomatik, Kosova ka një regres të pashpjegueshëm. Duhet t’i braktisim teoritë në të cilat mungon rezultati. Në vitin 2025 kemi pasur më shumë popullizëm diplomatik sesa rezultate të prekshme, si në investime, krijimin e tregjeve për prodhuesit tanë apo përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës”, u shpreh Rullani.
Ai shtoi se përmirësimi i gjendjes kërkon veprime të matshme dhe reforma të thella në politikë dhe diplomaci.