Inaugurimin e këtij investimi të mirëpritur e kanë bërë Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it, z. Alpin Dogan, dhe Kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri së bashku me stafet e tyre menaxheriale. Në gëzimin e kësaj dite nuk mungoi as KFOR-i, sikurse qytetarët dhe biznesmenët e asaj ane.
Aty, tashmë është lëshuar në punë një pjesë e konsiderueshme e linjës së re që gjarpëron buzë rrugës kryesore si linjë nëntokësore deri në Kuqishtë, prej nga ngjitet deri në Bogë dhe Stankaj, në njërën anë, e deri te restorantet në drejtim të Liqenatit, në anën tjetër. Por, ende pa shkuar në Kuqishtë, bën një ndalesë të shkurtër te fabrika e Ujë Rugove, përderisa degëzohet edhe në fshatrat përreth, duke përfshirë në total një linjë të tensionit të mesëm rreth 80 kilometra, më e gjata në vend, dhe ka rreth 50 trafo ne total.
Aty, gjithçka është e re dhe shumë lehtë e arritshme, pasi është buzë rruge në secilin drejtim dhe degëzim. Qindra familje rugovase do të kenë shërbime shumë më kualitative dhe më të sigurta me energji elektrike. Edhe dhjetëra biznese të asaj ane, kryesisht restorante, hotele e bujtina, gjithashtu.
Ky është vetëm një nga qindra projektet kapitale që KEDS-i po i implementon përgjatë këtij viti anembanë Kosovës.