Alvaro Morata dhe Paulo Fonseca janë dy temat ku ndalet Ruben Loftus-Cheek, mesfushori anglez i Milanit.
I cili zbulon disa nga kërkesat e teknikut të ri. Me Fonsecan që është shprehur se kuqezinjtë do të jenë një ekip më sulmues dhe argëtues.
“Morata është futbollist i nivelit të lartë, i cili ka fituar shumë në karrierën e tij. Të kesh shok skuadre një lojtar të kalibrit të Moratës, i cili gjithashtu ka shumë përvojë, natyrisht që të ndihmon shumë. Jam i emocionuar që do të ndaj fushën përsëri me të”, deklaron Loftus-Cheek, i cili ka luajtur te Chelsea më parë me sulmuesin nga Madridi.
“Alvaro është një person shumë i sjellshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të të ndihmuar. Ai punon fort në stërvitje, është një profesionist i vërtetë. Ka aftësi lideri, kështu që do të ketë një rol të rëndësishëm edhe te Milani” shtoi ai.
Kur u pyet për Fonsecan, ai bëri me dije se çfarë u kërkon më së shumti tekniku portugez në stërvitje.
“Jemi shumë entuziastë, seancat stërvitore me trajnerin e ri janë intensive dhe të ashpra. Por kjo është një gjë e bukur, sepse trajneri pret shumë nga ne dhe kërkon të luajmë me intensitet të lartë. Ai përpiqet t’i përcjellë sa më mirë idetë e tij duke na inkurajuar t’i bëjmë pyetje në mënyrë që t’i kuptojmë mirë. Dhe t’i përvetësojmë sa më shpejt konceptet e tij të lojës. Përshtypjet tona të para për trajnerin janë pozitive, ai duket si një person shumë i përulur dhe i qetë. Është e këndshme të kesh një trajner të tillë”, theksoi 28-vjeçari nga Londra.