Përgatiti: Afrim Kasolli
Ka ditë që po përmendet mundësia që të dërguarin aktual të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të mund ta zëvendësojë ish presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
Ndërkohë, ditë më parë, gazeta politico shkruante se pas zgjedhjeve që do të mbahen për Parlamentin Evropian, në mes datës 6 dhe 9 qershor të këtij viti, pritet që kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, do të mund ta zëvendësonte shefin e tanishëm të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Siç dihet kjo instancë e Unionit është përgjegjëse për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë mënyrë, në krye të këtij procesi do të ishin dy diplomatë, vendet e të cilit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në dallim nga dyshja, Borrell- Lajçak, të cilët vinin nga Spanja dhe Sllovakia, shtete këto që nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Ndryshime të tilla eventuale e kanë rritur shpresën se kjo kthesë do të reflektohet pozitivisht edhe për fatin e Kosovës në procesin e negociatave. Ndonëse këtu duhet kujtuar, se edhe më herët në këtë pozitë kishin qenë diplomatë, vendet e të cilëve nuk kanë pasur telashe me shtetësinë e Kosovës, fillimisht baronesha britanike, Catherine Ashton, duke u pasur nga Federica Mogherini.
Pra siç shihet, prej se ka filluar dialogu Kosovë-Serbi, janë ndërruar tre përfaqësues të politikës së Jashtme të BE-së. Dhe si tillë ai ka dështuar ta jetësojë qëllimin për të cilin ka filluar, normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Progres në këtë drejtim nuk është shënuar as nga dakordimi publik i kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, lidhur me Marrëveshjen bazike të Brukselit. Përkundrazi prej asaj dite, ka vazhduar rrethi vicioz i “krizës dhe tensioneve”.
Në anën tjetër, eksponentë të pushtetit, duke përfshirë edhe vetë kryeministrin Kurti, kanë zhvilluar një fushatë të brendshme politike kundër ndërmjetësueseve evropian, Borrell- Lajçak, se janë pozicionuar kundër interesave të Kosovës dhe kushtëzimin e Serbisë për formimin Asociacionit të komunave më shumicë serbe e kanë shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së. Pra, me anë të kësaj fushate, Albin Kurti me Besnik Bsilimin, kanë tentuar që ta transmetojnë mesazhin se njëra nga arsyet e ngecjes së dialogut qëndron tek (mos) puna e duhur e emisarëve.
Se ndryshimi i qasjes së BE-së, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi është bërë një domosdoshmëri strategjike, është potencuar edhe nga të tjerë. Po ashtu, nuk kontestohet fakti se ky proces ndodhet në një rrugë pa krye. Në këtë kontekst, vet Parlamenti Evropian, kishte bërë thirrje që të ndryshohet qasja e deritanishme. Por është pak e besueshme se kjo qasje mund të ndryshojë vetëm për shkak të ndryshimeve koniunkturale. Bie fjala, vet kërkesa për themelimin urgjent të Asociacionit nuk është se ka qenë vetëm qëndrim i emisarëve të BE-së. Por edhe i vendeve të veçanta. Një kërkesë të tillë e mbështesin në mënyrë kategorike edhe SHBA-të. Kurse masat sanksionuese kundër Kosovës vështirë se do të mund të suspendohen edhe nëse nuk do të jetë Lajcaku në këtë pozitë. Madje, vet ky i fundit kishte deklaruar në një intervistë se “reagimi im i menjëhershëm pas Banjskës ishte thirrja për heqjen e masave për solidaritet me Kosovën. Por shtete anëtare të BE-së nuk e ndanin këtë vlerësim. Sepse ato prisnin një sinjal tjetër pozitiv nga Kosova, siç ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore me shumicë serbe”.
Prandaj, pikërisht mungesa e unitetit të brendshëm të shteteve anëtare ka qenë njëra ndër pengesat kryesore pse Bashkimi Evropian si lehtësues dhe garantues i dialogut nuk ka mundur të jetë me efikas. Kjo dobësi u vërejt edhe para pak dite, kur Këshilli i BE-së dështoi ta ndërtoi një konsensus sa i përket rekomandimit të Komisionit Evropin dhe Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së për ndryshimin kapitulli 35 i kornizës negociuese në procesin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë.
Me këtë rast, vështirë se mund të pritet diçka e re nga BE-ja, lidhur me dialogun Kosovë Serbi, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në krye të strukturave të saj, për aq kohë sa mbetet e pandryshuar logjika e deritanishme politikbërëse e këtij entiteti trans-nacional. Prandaj, Borut Pahor, nuk do ishte asgjë tjetër, pos një “riinkarnim” politik i Lajçak-ut.
TV Arbëria