Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > RTK përjashton arbitrarisht nga moderimi i emisioneve 6 gazetarë, heq nga skema programore emisionet ku u sfiduan eksponentët e pushtetit

RTK përjashton arbitrarisht nga moderimi i emisioneve 6 gazetarë, heq nga skema programore emisionet ku u sfiduan eksponentët e pushtetit

Radiotelevizioni i Kosovës ka përjashtuar arbitrarisht nga moderimi i emisioneve 6 gazetarë të saj.

Bëhet fjalë për Blerta Foniqi-Kabashin, Edona Musa-Mustafën, Arton Mulliqin, Valon Bajramin, Jehona Zhitinë dhe Meneta Zekaj-Nushin.

Sipas gazetarëve që janë përjashtuar nga këto emisione, parlajmërimi për heqjen e tyre nga skema programore është bërë sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.

“Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional.”, thuhet në reagim.

Sipas gazetarëve vendimi i fundit ka për qëllim heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik.

“Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend. Andaj, ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale.”, përfundon reagimi.