Transmetuesi publik i Kosovës synon që të marrë pjesë vitin e ardhshëm si garues në Eurovizion, që do të mbahet në Zvicër. Kërkesa zyrtare tashmë është dorëzuar në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU).
Dorëzimi i kërkesës është bërë pas një seri takimesh e angazhimesh të kryetarit të Bordit Besnik Boletini dhe Drejtorit të Përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj me drejtuesit e EBU-së dhe transmetuesve publik evropian.
Në letrën e dorëzuar në EBU me 6 qershor, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj thekson se kërkesa për të marrë një ftesë nga Bordi ekzekutiv i Eurovizionit është model i aplikuar tashmë nga EBU në rastin Australisë.
“Me respekt, kërkojmë që të merrni në konsiderim dërgimin e një ftese RTK-së që të marr pjesë në garën e ardhshme të Eurosong. Pjesëmarrja jonë nuk do të ishte vetëm shpërfaqje e talentëve të Kosovës por gjithashtu do të fuqizonte frymën gjithëpërfshirëse dhe shkëmbimin kulturor që përfaqëson Eurovizioni”, thuhet në letrën e drejtorit Ahmetxhekaj.Më tej theksohet se ftesa për RTK-në do të ishte e bazuar në frymën evropiane.
“Ne fuqishëm besojmë që Festivali i Këngës së Eurovizionit është një ngjarje jo-politike që feston muzikën, diversitetin dhe unitetin, vlera që përkojnë thellësisht me kombin tonë”- thuhet në letër.
Më tej, drejtori Ahmetxhekaj rikujton se EBU ka lujatur rol thelbësor në themelimin e RTK-së më 1999 prandaj pret që ‘EBU do të na ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi, që është i mishëruar në misionin tonë si transmetues publik’
Në këtë letër po ashtu përmendet fakti që RTK-ja ka nisur tashmë Festivalin e Këngës dhe se këtë vit do të mbahet edicioni i dytë, me shpresën që kënga fituese të përfaqësoj Kosovën në këtë ngjarje muzikore.
Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet së shpejti nga drejtuesit e EBU-së dhe bordit ekzekutiv të Eurovizionit.