Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se formimi i Qeverisë Kurti 3 është vetëm çështje kohe.
Ai ka theksuar se kjo qeveri do të formohet, me ose pa zgjedhje të reja parlamentare.
Sa i përket takimit të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të mbajtur një ditë pas seancës për formimin e qeverisë së re, Rrustemi e ka cilësuar si të habitshëm.
Sipas tij, ky takim tregon se Abdixhiku është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme që Kosova të mbetet pa qeveri.
“Është çështje që u takon atyre si raporte ndërpartiake, por e habitshme është që takimi ndodhi një ditë pas seancës. Kjo tregon se Lumir Abdixhiku në mënyrë konsistente është angazhuar që Kosova të mbetet pa qeveri. Nëse ka qenë një mundësi për formimin e një qeverie me 61 vota, me komunitetet jo shumicë serbe dhe me tri votat e Nismës, atëherë ky takim për mua është konfirmim i një angazhimi të vazhdueshëm të Abdixhikut për ta lënë Kosovën pa qeveri,” ka theksuar Rrustemi.