Rrustem Mustafa ka bërë thirrje që politika kosovare të shkëputet nga ndarjet dhe grupacionet e trashëguara nga paslufta, duke kërkuar një qasje të re që vendos interesin shtetëror mbi kalkulimet partiake.
Mustafa ka deklaruar se që nga paslufta në Kosovë janë krijuar struktura dhe narrativa që, sipas tij, kanë ndikuar në jetën politike e shoqërore dhe shpesh kanë qenë në dëm të interesit shtetëror.
Ai ka kritikuar si propagandën kundër UÇK-së dhe luftës për liri, ashtu edhe përdorimin e çështjeve fetare dhe identitare për krijimin e mosbesimit dhe përçarjeve në shoqëri.
Sipas Mustafës, për vite me radhë një pjesë e politikës kosovare nuk i ka luftuar këto modele, por ka tentuar t’i menaxhojë dhe t’i përdorë për interesa elektorale.
“Ka ardhur koha për politika shtetërore, jo për trashëgimi të ndarjeve në Kosovë”, ka theksuar Mustafa.