Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > RRUGA DREJT PAQES

RRUGA DREJT PAQES

Shkruan: Arben Fetoshi
Rezoluta e kongresistëve Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO, konfirmon qartësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugën e paqes në Ballkanin Perëndimor.
Përballë kërcënimeve hibride nga Serbia dhe ndikimit potencial të Rusisë në Ballkan, Kosova në NATO është zgjidhja më e sigurt, është neutralizim i burimit të destabilizimit, që provokon me qëllimet hegjemoniste të ‘Botës Serbe’.
Pas Aktit Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), Ligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës (PVDAA) dhe vendimit për FSK-në në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, Rezoluta përfaqëson ‘hartën e rrugës’ drejt paqes së qëndrueshme në Ballkan.
Anëtarësimi krijon kundërpeshën adekuate ndaj ‘boshtit të së keqes’, duke mbyllur qarkun euro-atlantik të rajonit.
Në kontekstin aktual gjeopolitik, SHBA-të po i tregojnë BE-së se paqartësia vetëm sa krijon terren për ambiciet revizioniste të Putinit.
Katër shtetet europiane të Aleancës (Greqi, Rumani, Sllovaki, Spanjë), që ende s’e kanë njohur Kosovën, janë katër pengesat që i shfrytëzon Moska për ta minuar sigurinë e kontinentit.
Pra, Kosova në NATO nuk është vetëm aspiratë kombëtare, por edhe instrument parandalues, që eliminon kalkulimet destabilizuese të Serbisë dhe mbyll hapësirën e ndikimit rus në Ballkan.