Gjatë kthimit pas një aktiviteti në Shqipëri, autobusi i klubit të futbollit të femrave, KFF Jakova është rrokullisur mbrëmë në afërsi të Junikut.
Si pasojë e këtij aksidenti, lëndime kanë pësuar dy futbolliste dhe trajneri i skuadrës së senioreve, N.Kamberi.
Të lënduarit gjenden për trajtim në Spitalin e Gjakovës, dhe janë jashtë rrezikut për jetë pasi që nuk kanë pësuar lëndime serioze. Pjesa tjetër e futbollisteve pas trajtimit mjekësorë sot në mesditë janë liruar në shtëpi. Me këtë rast ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
“Federata e Futbollit e Kosovës shpreh keqardhje për këtë aksident dhe shpreh gatishmërinë për t’i qëndruar afër KFF Jakova dhe futbollisteve të këtij klubi për ta kaluar sa më parë këtë moment traume dhe lëndimet e pësuara nga ky aksident. Njëherësh, FFK uron që futbollistet dhe i gjithë stafi i KFF Jakova të shërohen sa më shpejt nga lëndimet e pësuara dhe t’i rikthehen punës në fushën e gjelbër, duke shpresuar që raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë”, shkroi FFK në një komunikatë.
/TV Arbëria