Në muajt e fundit, Kosova është përballur me një valë të rastesh të dyshuara për spiunazh, ku të dyshuarit akuzohen për bashkëpunim me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA). Autoritetet kosovare kanë arrestuar disa individë, përfshirë zyrtarë policie, ish-punonjës të organizatave ndërkombëtare dhe qytetarë të zakonshëm.
Së fundmi, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Aleksandar Vlajic, një shtetas serb nga Kosova, me 5 vite burg për veprën penale të spiunazhit. Ai u shpall fajtor për grumbullim të informatave për lëvizjet e Policisë dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat më pas i dorëzonte tek inteligjenca serbe.
Në të njëjtën periudhë, u ngrit aktakuzë ndaj një personi tjetër me inicialet AV, i cili dyshohet se kishte ndërtuar një rrjet informatorësh dhe siguronte të dhëna të ndjeshme që i transferonte në Serbi. Ai gjithashtu u akuzua për mbajtje të paautorizuar të armëve dhe municionit.
Një tjetër rast që tronditi opinionin publik ishte arrestimi i Bojan Jevtić, shef operativ në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”. Jevtić dyshohet për spiunazh dhe mbajtje të armëve pa leje. Ai ndodhet në paraburgim për një muaj, për shkak të rrezikut për ndikim në dëshmitarë dhe prova.
Ndërkohë, më 4 shtator 2025, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Jelena Djukanovic, ish-zyrtare e OSBE-së në Kosovë, e dyshuar për spiunazh në bashkëpunim me Vlajic. Ajo akuzohet për shpërndarje të dokumenteve konfidenciale dhe bashkëpunim me agjentë të inteligjencës serbe.
Çfarë thotë eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi?
Për këtë çështje, në një prononcim për TV Arbëria ka folur eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi. Ai thotë se rrezikun nga spiunazhi e ka paralajmëruar që nga paslufta, por se, edhe pas rasteve të paraqitura, kjo çështje sipas tij nuk është marrë seriozisht nga institucionet e sigurisë.
“Unë kam paralajmëruar për këtë punë që nga paslufta. Kam pasur shkrime autoriale, paraqitje në media, se kjo është një nga thembrat e Akilit për sigurinë e Kosovës. Ndërkohë që politika dhe organet e sigurisë nuk janë marrë seriozisht me këtë çështje. Ne kemi pasur raste shumë skandaloze: ka qenë viti 2004, ka qenë ato protestat masive që e kanë lëkundur të arriturat e Kosovës. Pastaj e kemi pasur rastin e vitit 2010, ku Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë dy spiunë serbë duke blerë dëshmitarë për krimet e luftës, ndërkohë që ende asgjë nuk është folur për Gjykatën e Hagës. Dhe sikur kjo punë të kishte rënë në vesh të shurdhër. Fakti që nuk është aktualizuar kjo punë, unë kam pasur shkrime ku kam thënë se ata kanë një infrastrukturë të konsoliduar në Kosovë dhe paraqet një rrezik për sigurinë e Kosovës, por edhe për të ardhmen e Kosovës”
Ai thekson se tashmë po bëhet një punë e mirë në zbardhjen e këtyre rasteve nga institucionet përkatëse.
“Sidoqoftë, mendoj se është duke u bërë një punë e mirë. Mirëpo kategoria që po kapet nuk është e niveleve të larta”
Eksperti potencon se në këtë fushë kaq të komplikuar po bëhen edhe ndërhyrje politike, dhe sipas tij kjo është mjaft shqetësuese.
“Kjo është shumë punë e vështirë. Bëhet edhe më e vështirë për shkak të ndërhyrjeve politike në institucionet tona të sigurisë, sidomos në AKI. Secila qeveri që ka ardhë, puna e parë që ka bërë ka ndërhy në këtë institucion, i cili duhet të jetë shumë profesional, larg ndikimeve politike. Kjo e vështirëson edhe më tepër punën. Është një nga veprimtaritë më të komplikuara. Ajo që është brengosëse është se strukturat politike ndërhyjnë shumë në AKI”
Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë Speciale, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rasteve dhe ndalimin e çdo rrjeti të mundshëm spiunazhi që operon në territorin e Kosovës. /TV Arbëria