Kievi ka rënë dakord me kushtet e një marrëveshjeje për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund ta nënshkruajë atë pasnesër në Uashington, ndërsa evropianët takohen sot në Bruksel për të provuar të ndikojnë në një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë. Detaje të reja të marrëveshjes dolën brenda natës.
Çfarë thotë marrëveshja?
Një burim i njohur me përmbajtjen e projekt-marrëveshjes tha se ajo nuk përfshin asnjë garanci sigurie të SHBA-së ose vazhdimin e dërgesave të armëve, por deklaroi se Shtetet e Bashkuara donin që Ukraina të ishte “e lirë, sovrane dhe e sigurt”, raportoiReuters.
Një burim tjetër i tha Reuters se dërgesat e ardhshme të armëve ishin ende duke u diskutuar midis Uashingtonit dhe Kievit.
Lëndët e para në këmbim të mbështetjes
Portali ukrainas Ukrainska Pravda njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për qasjen amerikane në lëndët e para në vendin e prekur nga konflikti në këmbim të mbështetjes së Uashingtonit, duke shtuar se kishte parë një projekt-marrëveshje.
Një zyrtar i lartë ukrainas i tha AFP mbrëmë se amerikanët kishin hequr të gjitha klauzolat që nuk u përshtateshin ukrainasve, veçanërisht atë rreth 500 miliardë dollarëve që mineralet supozohej të sillnin në Shtetet e Bashkuara.
Të ardhurat do të shkonin në një fond të përbashkët.
I njëjti burim i tha AFP-së se Uashingtoni do të zhvillonte pasuri minerale me Ukrainën dhe të ardhurat nga kjo do të shkonin në një fond të ri që do të menaxhohej bashkërisht nga Ukraina dhe SHBA.
“Kam dëgjuar se ai do të vijë të premten. Është krejtësisht mirë me mua. Ai do të donte ta nënshkruante atë me mua dhe unë e kuptoj këtë – është një marrëveshje e madhe, një marrëveshje shumë e madhe,” u tha Donald Trump gazetarëve të martën në Shtëpinë e Bardhë.
“Shtëpia e Bardhë i propozoi një vizitë Zelenskyt”
Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha Reuters se Shtëpia e Bardhë kishte sugjeruar vizitën e Zelensky. Zyrtarët nga të dyja palët ranë dakord për projekt-marrëveshjen për mineralet dhe këshilluan që ajo të nënshkruhet, tha burimi.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë mund t’i japë Zelenskyt një mundësi për t’i paraqitur drejtpërdrejt Trumpit çështjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Ukrainën, pasi presidenti amerikan javën e kaluar akuzoi Kievin për fillimin e luftës.
Presidenti amerikan i ka kërkuar Ukrainës që t’i japë atij akses në burimet minerale si kompensim për miliarda dollarë ndihma dhënë Ukrainës nga administrata e paraardhësit të tij, Joe Biden.
Mineralet kryesore
Ukraina ka depozita të 22 nga 34 mineralet e identifikuara nga Bashkimi Evropian si lëndë të para kritike, sipas të dhënave të Ukrainës.
Rezervat e grafitit të Ukrainës, një komponent kyç në bateritë e automjeteve elektrike dhe reaktorët bërthamorë, përfaqësojnë 20 për qind të burimeve botërore.
Përpara nënshkrimit të mundshëm të marrëveshjes të premten në Uashington, liderët e 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian do të takohen të mërkurën në një video-konferencë të jashtëzakonshme me temën e Ukrainës.