Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Rritje e madhe e krimeve antisemite në Gjermani

Rritje e madhe e krimeve antisemite në Gjermani

Që nga sulmi terrorist i Hamasit mbi Izraelin hebrenjtë në Gjermani nuk kanë qenë në rrezik kaq të madh sa janë sot. Krahasuar me tremujorët e mëparshëm nga tetori ka pasur rreth dy herë më shumë krime antisemite.

Që nga sulmi terrorist i Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor deri më 21 dhjetor 2024 Enti Federal për Kriminalitetin (BKA) ka regjistruar më shumë se 1.100 krime antisemite që lidhen me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Një zëdhënës i BKA-së tha për Agjencinë Gjermane të Shtypit, dpa, se fjala është për krime të motivuara politikisht. Veprat penale lidhen kryesisht me dëmtime materiale dhe nxitjen e urrejtjes.

Shifra e regjistruar në tremujorin e fundit të vitit 2024 është rreth dy herë më e lartë se në tre tremujorët e parë të këtij viti, ndërsa numri i përgjithshëm i krimeve antisemite ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë. Që nga nëntori i vitit të kaluar deri në nëntor 2024 janë regjistruar gjithsej 2,874 krime antisemite, ndër to 88 krime të dhunshme.

I ngarkuari i qeverisë gjermane përantisemitizmin, Felix Klein, tha për mediat se sulmi terrorist i Hamasit shënon një “pikë kthese për sigurinë e hebrenjve në Gjermani”. Sipas tij këtë vit numri i krimeve antisemite në Gjermani ishte më i lartë se kurrë. Klein tha se “që nga Holokausti hebrenjtë në Gjermani nuk kanë qenë në rrezik kaq të madh sa janë sot”.

Ambasadori i Izraelit në Gjermani, Ron Prosor, bëri thirrje për një përgjigje vendimtare ndaj këtij zhvillimi. “Fakti që hebrenjtë kanë frikë të dalin në rrugë me kësulat e tyre tradicionale ose të flasin me dikë në celular në hebraisht, thjesht nuk mund të pranohet. “Ne duhet të zgjohemi,” tha ai për Agjencinë Gjermane të Shtypit – dpa. “Njerëzit kanë frikë t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë, nëse shkolla nuk mbrohet: këto kushte nuk janë normale,” tha Prosor. “Frika është vërtetë e pranishme.” – tha ambasadori izraelit./DW/

 

Powered by WordPress