Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16% ka ngjallur shqetësime të mëdha në mesin e përfaqësuesve të bizneseve, odave ekonomike dhe njohësve të ekonomisë në vend.
Sipas tyre, kjo rritje e konsiderueshme do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për konsumatorët, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke rritur kostot për bizneset në të gjitha sektorët.
Ekspertët vlerësojnë se një ndër efektet e para do të jetë rënia e konsumit, për shkak të zvogëlimit të “xhepit të parasë” tek qytetarët, që tashmë përballen me një standard të ulët jetese.
Njëkohësisht, bizneset do të përballen me sfida të reja në operim, ku rritja e çmimit të energjisë do t’i detyrojë të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve, çka mund të nxisë një cikël të ri të inflacionit.
Agim Shahini: Rritja e çmimit të rrymës do i rritë për 4-5% produktet e konsumit.
Sipas Shahinit, kjo rritje e çmimit e pozicionon Kosovën si njërin nga vendet më të shtrenjta në Ballkan sa i përket kostos së energjisë elektrike, gjë që do të ketë pasoja të shumta.
“Ngritja e rritjes së çmimit prej 16% do të thotë që Kosova është një nga vendet më të shtrenjta në Ballkan sa i përket energjisë elektrike dhe investitorët e huaj dhe vendorë do të shikojnë mundësitë se si ti përballojnë kësaj rritje kaq të lartë dhe konsumatorët duhet që të mendojnë se si do ti përballojnë shtrenjtimeve të produkteve që do të ndodhin në Kosovën” u shpreh Shahini.
Ai paralajmëroi se bizneset në sektorë të ndryshëm do të detyrohen të rrisin çmimet e produkteve të konsumit të përgjithshëm për rreth 4-5%, çka sipas tij do të ndikojë negativisht në standardin jetësor të qytetarëve dhe do të përshpejtojë rritjen e varfërisë.
‘’Bizneset e sektorëve të ndryshëm detyrimisht do të përballën me këtë sfidë dhe do të shtrenjtoj produktet e konsumit të përgjithshëm për 4,5%, standardi jetësor do të bie, varfëria do të rritët’’ shtoi Shahini, duke i bërë thirrje institucioneve që të vlerësojnë me kujdes pasojat ekonomike të këtij vendimi.