Nga Agron Hoti
Viteve të fundit po vërehet një dukuri tepër e rrallë, për të cilën nuk flitej më herët. Asnjëherë nuk është folur më shpesh dhe më hapur mes shoqërisë sonë për sigurinë ushqimore. Ka një përcepsion se në Kosovë dhe pse jo edhe në Shqipëri janë duke u përdorur me të madhe preparate të ndryshme për përshpejtimin e pjekjes së pemëve dhe perimeve për efekte të maksimalizimit të përfitimeve në treg. Në gjuhën popullore kësaj i thonë: pjekje “me zor” e pemëve dhe perimeve.
Ç’është më e keqja edhe për bagëtitë që po shiten në treg ka shumë zëra që flasin për dhënie preparatesh të ndryshme të rrezikshme që e bëjnë bagëtinë artificialisht më të majme (të trashë), ndërkohë që mishi i shumë prej tyre as që po hahet pas therjes (prerjes) së tyre.
Fakti që pemë dhe perime tona po na kthenen mbrapsht nga vende të BE-së flet shumë për këtë dukuri. Shumë mjekë dhe specialistë fushash po flasin për dëmet afagjata shëndetësore që po sjell kjo pjekje “me zor” e pemëve dhe perimeve.
Fakti që sot publikisht njerëzia flasin për bagëti të rritura artificialisht, e tregon përmasën e problemit me të cilin jemi duke u përballur si shoqëri e për të cilën shteti i ka futur veshët në lesh. Të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes së rasteve të sëmundjeve të shumta, përfshirë deimunizimin e përgjithshëm të popullatës. Mos të flasim për mallrat e shumta ushqimore që na vijnë nga Serbia e për të cilat askush nuk merret me to.
Nuk pretendoj të jem profesionist analizash ushqimore. Por, një gjë e di sigurtë: asnjëherë në Kosovë apo në Shqipëri nuk është folur më shumë për pjekje “me zor” të pemëve dhe perimeve, për rritje artificiale të bagëtisë dhe për rrezik mallrash ushqimore nga Serbia. Kjo dukuri ka filluar të bëhet përditshmëri dhe si e tillë ka rënë tashmë edhe në pranueshmëri qytetare, pra po merret si e mirëqenë.
Prandaj, sa nuk është bërë vonë, do të duhej që me shpejtësi të rriteshin kapacitetet kombëtare për fitosanitari, veterinari, sanitari si dhe të shpeshtoheshin kontrollet e rrepta në terren. Përndryshe, kaosi dhe agonia që e ka kapluar shtetin dhe shoqërinë tonë, do të jenë fatale për të ardhmen e shoqërisë sonë. Një shoqëri e sëmurë sot, rrezikon të zhduket deri nesër. Kaq.