Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Rritet numri i rasteve me HIV në Kosovë: Dyfishohet krahasuar me vitin e kaluar

Rritet numri i rasteve me HIV në Kosovë: Dyfishohet krahasuar me vitin e kaluar

Numri i rasteve të reja me HIV në Kosovë është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që krahasuar me vitin 2020, rritja është 14 herë më e madhe. Gjatë gati 11 muajve të vitit 2024, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë regjistruar gjithsej 29 raste të reja me HIV.

Sipas infektologes Arbana Kasumi, moshat më të prekura janë të rinjtë, ndërsa ajo ka theksuar se prej vitit 2005 deri më tani janë trajtuar 90 pacientë në Klinikën Infektive për këtë virus.

Kasumi tregon se në vitin 2023 ishin regjistruar 13 raste të reja, ndërsa në vitin 2024 deri më 15 nëntor janë identifikuar 29 raste të reja.

Krahasuar me vitin 2020, kur kishin pasur vetëm dy raste të reja, ky vit ka shënuar një rritje alarmante.

“Shqetësimi është rritur pasi numri i rasteve të reja ka shkuar në 29 për këtë vit, duke përfshirë 28 pacientë që janë në trajtim të rregullt në Klinikën Infektive,” thotë Kasumi, duke shtuar se pacientët që janë diagnostikuar paraqiten fillimisht për analizat në klinikë dhe, nëse gjendja e tyre është e qëndrueshme, ata trajtohen ambulatorisht.

Përveç rritjes së numrit të rasteve, Kasumi ka theksuar se moshat më të prekura janë të rinjtë, duke filluar nga mosha 12 vjeçare, ndërsa ka pasur raste deri në 67 vjeç.

Ajo ka theksuar gjithashtu se po shihen tendenca në rritje të numrit të pacientëve të rinj, duke përfshirë raste që janë të moshave 18-19 vjeç.

Në këtë klinikë është i hospitalizuar aktualisht një pacient me AIDS, faza më e rëndë e infeksionit HIV, e cila kërkon trajtim intensiv.

Kasumi ka sqaruar se pacientët që konfirmohen pozitiv për HIV paraqiten në Klinikën Infektive, ku bëhen analiza të gjakut dhe, nëse gjendja e tyre është e mirë, ata trajtohen jashtë spitalit, por në rastet më të rënda, ata hospitalizohen për trajtim të mëtejshëm.

Një tjetër tendencë shqetësuese është rritja e rasteve të infektuar me HIV në mesin e femrave. Kasumi ka theksuar se vitin e kaluar nuk ishte regjistruar asnjë rast i infektuar femër, ndërsa këtë vit janë dy raste të reja të këtij gjinie. Megjithatë, gjinia mashkullore mbetet më e prekur, me 8 raste që janë trajtuar që nga viti 2005.

Për sa i përket shkaqeve të infektimit, Kasumi ka përmendur si faktorin kryesor të mundshëm përdorimin e papërshtatshëm të masave mbrojtëse, siç janë prezervativët. Ajo shtoi se kontaktet seksuale të pa mbrojtura janë një nga rrugët kryesore të transmetimit të HIV-it.

Simptomat e hershme të HIV-it mund të përfshijnë ethe, dhimbje trupi, djersitje dhe simptoma të ngjashme me ato të një gripi të zakonshëm. Ndërsa infeksioni përparon, mund të shfaqen komplikime më të rënda, përfshirë infeksione të traktit respirator dhe, në fazën e avancuar, mund të zhvillohet AIDS, një gjendje që kërkon trajtim të vazhdueshëm.

Megjithatë, Kasumi theksoi se me trajtim adekuat, shumica e pacientëve me HIV mund të jetojnë pa kaluar në fazën e AIDS dhe të kenë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.

Kosova ka një furnizim të mjaftueshëm me barna të nevojshme për trajtimin e HIV-it, dhe në Klinikën Infektive po ofrohen shërbime të plota për pacientët që përballen me këtë virus. Përpjekjet për edukimin dhe parandalimin e HIV-it mbeten të rëndësishme për uljen e shfaqjes së rasteve të reja dhe për ruajtjen e shëndetit të popullatës.

HIV (Virusi i Mungesës së Imunitetit të Fitueshëm) është një virus që sulmon sistemin imunitar, duke e bërë trupin më të prekshëm ndaj infeksioneve të tjera. Simptomat e HIV mund të përfshijnë ethe, lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje të fytit, ndërsa AIDS është faza e fundit e HIV-it, kur sistemi imunitar është shumë i dëmtuar. HIV bartet vetëm përmes lëngjeve trupore, si gjaku, sperma dhe lëngu vaginal.

Sipas OBSH-së, mbi 88 milionë njerëz janë infektuar me HIV që nga fillimi i epidemisë, dhe më shumë se 42 milionë kanë vdekur nga pasojat e saj.

Powered by WordPress