Krahas komplikimeve shëndetësore te personat me sëmundje kronike, gjatë muajve të verës rriten edhe rreziqet e paraqitjes së problemeve të tjera shëndetësore. Me rritjen e temperaturave, edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike është vërejtur shtim i numrit të qytetarëve të cilët janë paraqitur për të bërë analiza laboratorike.
Faik Hoti nga IKSHPK thotë se në vazhdimësi është duke këshilluar qytetarët që të mbrohen nga sëmundjet e ndryshme që lidhen me temperaturat e larta, sigurinë ushqimore, virusët sezonalë etj.
“Gjatë verës janë më karakteristike diaretë akute, infeksionet gastrointestinale, infeksionet akute respiratore, helmimet me ushqim, etj. Qytetarët duhet të jetë të vëmendshëm sidomos rreth ushqimit që konsumojnë, sepse helmimet me ushqim janë mjaft të shprehura gjatë temperaturave të larta dhe si pasojë e mos-ruajtjes së ushqimit në kushte adekuate në fast food-e dhe lokale të ndryshme që shërbejnë ushqim”, ka deklaruar ai për TV Arbëria.
Sa i përket COVID-it, Hoti thotë se nga maji nuk ka pasur asnjë rast të ri me këtë sëmundje në vendin tonë, ndërsa në total gjatë vitit janë paraqitur 10 raste.
“Në qarkullim ka pasur variante të ndryshme dhe nënvariante, ndërsa më të shprehura gjatë vitit 2024, ka qenë varianti Omicron BA.286 dhe subvarianti KP.3”, ka deklaruar ai.
IKSHPK në laboratorët e saj bën kontrollin e cilësisë së ujit dhe sigurisë ushqimore.
Gjatë viteve të fundit ka pasur disa raste kur qytetarët janë helmuar nga ushqimet që servohen kryesisht nëpër fast-food.