Afaristi Burim Piraj, njëri ndër organizatorët e kësaj fushate, ka thënë se vetëdijesimi i bizneseve po rritet dita-ditës.
Ndonëse bojkoti i produkteve serbe po përkrahet nga qytetarët, këta kërkojnë që bizneset mos t’i rrisin çmimet e produkteve.
Piraj shpjegon se fushata nuk ka për qëllim reklamimin e bizneseve vendore, por vetëm bojkotimin e atyre të Serbisë. Thotë se tentojnë vetëdijesimin e qytetarëve për të mos blerë produkte serbe.
“Kur e kemi nisur fushatën ka pasur vetëm një qendër tregtare e cila nuk ka pasur produkte serbe. Dhe për momentin i kemi firma të ndryshme, restorante, qendra tregtare dhe markete – 23 sosh. Vetë fakti që i kemi 23 në rend për certifikim, flet se kampanja ka pasur efekt dhe po vazhdon të ketë. Kemi të dhëna që shumë pika të shitjes me pakicë janë duke eliminuar produktet serbe, ato që u kanë ngelur t’i shesin dhe të mos vazhdojnë të shesin më produkte nga Serbia”, ka thënë Piraj.
“Krejt çka kemi qenë të koncentruar është që qytetarët mos të blejnë produkte serbe. Kjo ka qenë për shkaqe patriotike, për të mos blerë produkte të atij vendi i cili po fuqizohet ekonomikisht, dhe pastaj me atë ekonominë e tyre po blejnë armatim dhe po na kërcënojnë vazhdimisht. Do të tentojmë që ta vetëdijesojmë çdo qytetar që mos të blejë produkte serbe për arsye se ne themi, në qoftë se ata vetëm një motër shqiptare e kanë përdhunuar, mjafton që mos t’u blejmë kurrë edhe mos t’ua falim kurrë”.
Iniciativa “Mos bli prodhime serbe” është shumë aktive në “Facebook” dhe aktualisht ka 111 mijë anëtarë aktivë.
“Serbia vazhdimisht po e kërcënon sigurinë e Kosovës, ajo me paratë e fituara nga shitja e prodhimeve të veta në Kosovë po i mban strukturat paralele Serbe në Kosovë dhe po armatoset me shpresën se një ditë ushtria Serbe do të kthehet në Kosovë!”, shkruan në përshkrimin e qëllimit të grupit
“Sot nuk ka patriotizëm me të madh se në mënyrë paqësore me i dal zot vendit duke mos ble asgjë të prodhuar në Serbi! Dikush e sakrifikoj gjakun për Kosovë e për ne kërkohet të saktifilkojmë paratë! Nuk shitet Kosova për 10 cent më lirë!”, theksohet aty.
Sipas organizatorëve, fushata ka marrë një shtytje sidomos pas tensioneve dhe bllokimit të rrugëve nga ekstremistët serbë në veri, në fund të vitit që shkoi.
Qytetarët kanë shprehur përkrahje për fushatën e grupit “Besa Besë”, por kërkojnë që bizneset vendëse mos t’i rrisin çmimet.
“Në rregull është që t’i bojkotojmë, por punë është se këta tanët si t’i bojkotojmë produkte serbe po i rrisin çmimet. Se ne nuk po i marrim ato, kjo është pak e keqe. Nuk po funksionon si duhet tregu, kjo është problem. Ata i largojnë produktet serbe, mandej çmimet e larta, në çfarë gjendje jemi”, thotë qytetari Xhelal Sopi.
Ndërsa Shyqeri Demani, konsideron se vetëdija e qytetarëve për t’i bojkotuar produktet nga Serbia, nuk po gjen zbatim në praktikë. Thotë se këtë qytetarët duhet ta bëjnë këtë vetvetiu pa pasur nevojë për kampanja të tilla..
“Produktet serbe nuk janë duke u bojkotuar, sepse është një vetëdije e ulët e qytetarëve të Kosovës, mjerisht është kjo gjendje që është. Po të ishte vetëdije e lartë nuk do të kishte nevojë as qeveria as organizatat që të bëjnë këtë”.
Demani, tha se produktet serbe janë të dyshimta e se duhet të testohen para se të hyjnë në tregun e Kosovës.
“Produktet serbe në aspektin higjenik janë produkte të dyshimta, ngase veprimet e regjimeve serbe që dy shekuj kanë qenë regjime anti-shqiptare, anti-Kosovë. Serbia vazhdon të njëjtin trend të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Produkteve serbe nuk u besohet dhe apeloj te qytetarët që të kenë kujdes”.
“Agjencia e Veterinarisë e ka për obligim që të bëjë analiza çdo produkti që hyn në Kosovë. Prandaj, rritja e sëmundjeve në Kosovë është si rezultat i ushqimeve të dyshimta, jo vetëm nga Serbia por edhe shteteve të tjera. Qeveria duhet ta themelojë një laborator që të bëhen analiza kimike para se një produkt të hyjë në Kosovë”, thotë ai.
/TV Arbëria