Grupet, që nxisin urrejtjen ndaj myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, ndikimi i të cilave ishte zbehur, kanë filluar të rikthehen në skenë në muajt e fundit, të ripërtërira nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Shumë nga këto grupe, si ‘Jihad Watch’ dhe ‘ACT for America’, u shfaqën pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe rritën ndikimin e tyre për shkak të frikës së publikut nga terrorizmi. Por në vitet e fundit kjo frikë është zbehur dhe bashkë me këtë edhe ndikimi i këtyre grupeve. Disa prej tyre u shpërbënë, ndërsa grupet e tjera u përqëndruan në çështje tjera të kohës.
Numri i këtyre grupeve ra nga 114 që ishin në vitin 2017 në vetëm 34 në vitin e kaluar, sipas organizatës jofitimprurëse “Southern Poverty Law Center”, e njohur me shkurtesën SPLC, e cila merret me studimin e aktiviteteve të grupeve që përhapin urrejtje.
Në vitin 2023, “islamofobia kishte shënuar rënie të madhe”, thotë analist i SPLC-së, Caleb Kieffer.
Por, kjo ndryshoi pas sulmit të Hamasit me 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael, në të cilin u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë. Pas këtij sulmi, ushtria izrealite filloi një operacion të gjerë kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Grupet anti-myslimane që “shfrytëzonin” çështjet e debatueshme, si është teorinë kritike racore dhe politikat përfshirëse në mbështetje grupeve LGBTQ, filluan sërish të fitonin terren.
“Këto grupe anti-myslimane rifilluan menjëherë të përhapnin mesazhet e tyre”, tha eksperti Kieffer në një intervistë për Zërin e Amerikës. “Ato filluan sërish të përdornin retorikën e tyre të ashpër pas sulmit të tetorit.”
Për shembull, organizata ‘ACT for America’, e themeluar në vitin 2007 nga aktivistja politike libanezo-amerikane, Brigitte Gabriel, që e përshkruan veten si “e mbijetuar e terrorizmit”, u shndërrua në një nga grupet kryesore anti-myslimane në Shtetet e Bashkuara.
Në kulmin e saj, ky grup kishte mbi 50 degë aktive, secila prej tyre e shpallur si grup urrejtjeje nga organizata “Southern Poverty Law Center”. Por në vitet e fundit, shumica e atyre degëve u mbyllën ose u transformuan dhe organizata ‘ACT for America” tani ka vetëm 8 degë, të cilat janë në listën e grupeve të urrejtjes të organizatës SPLC.