Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Rrëzimi aktual i PDK-së nga Bedri Hamza si parakusht për fitore kundër Albin Kurtit

Rrëzimi aktual i PDK-së nga Bedri Hamza si parakusht për fitore kundër Albin Kurtit

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Pa kaluar as 24 orë nga dorëheqja e Memli Krasniqit,  prej pozitës kryetarit të PDK-së, ish-kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Bedri Hamza e shpalli kandidaturën për këtë pozitë.

Konventa për këtë ngjarje është paralajmëruar se do të mbahet me 17 nëntor.  I njëjti ka bërë të ditur se po e merr këtë barrë mbi tri pretendime kryesore, atë të bashkimit të brendshëm, reformimit dhe rifuqizimit të jashtëm, duke transmetuar kështu mesazhin se nën drejtimin e Memli Krasniqit, kjo parti ka shnuar prapakthim në këtë drejtim. Deri më tani, një pjesë e madhe e eksponentëve të këtij subjekti politik (me përjashtim të Enver Hoxhajt) kanë shprehur entuziazëm për këtë lëvizje politike të Bedri Hamzës.

Të njëjtit janë shprehur të bindur se nën lidershipin e tij, Partia Demokratike e Kosovës do të dalë më e fortë se sa që është. Dhe se ekziston shpresa se do të mund të sanohen konfliktet ndërmjet grupeve të brendshme të cilat ka kohë që kanë filluat të akumulohen, por që arritën pikën e vlimit, veçanërisht me zgjedhjet e fundit lokale, duke ndikuar që ky subjekt politik t’i humb dy komuna shumë të rëndësishme, sikur se atë të Drenasit dhe Mitrovicës së Jugut. Megjithatë opinioni publik është ende në “terr informativ” sa i përket natyrës së këtyre përçarjeve.  Deri më tani nuk janë vërejtur fraksione sa i përket orientimin  politik dhe ideologjik të PDK-së. Përkundrazi, kjo parti me një lehtësi të padurueshme u transformua nga konservatore në liberale, pa asnjë telashe serioze. Prandaj, duket që ato përçarje më shumë janë rezultat i fragmentarizmit të brendshëm klientelist e të cilat po e gllabërojnë nga brenda potencën e partiake. Me këtë rast të njëjtit kanë shpresa se Bedri Hamza do të mund të t’i neutralizojë ato tensione dhe  do të mund të mirëmbahet kjo aleancë semi-feudale politike.

Sidoqoftë, nëse Bedri Hamza mirëfilli shpreson ta reformojë këtë subjekt politik, atëherë ai duhet të veprojë pikërisht në kundërshtim me këto pritje që po projektohen në raport me misionin e tij nga kjo kastë drejtuese e PDK-së. Sepse të njëjtit nuk janë duke e parë atë si lider që e çmonton këtë logjikë të veprimit politik, por vetëm si financier që ua menaxhon aksionet, pasi të njëjtit nga shpenzimet e pakontrolluara për shkak të ambicies që njëri krah të ketë aksione më shumë se tjetri brenda të njëjtës ndërmarrje, i ka kapluar frika se do të t’i humbin të gjitha.

Në këtë kontekst, një nga detyra primare të Bedri Hmazës duhet të jetë rrëzimi aktual i PDK—së, si parakusht për ta mundur Albin Kurtin. Përndryshe, nëse i pari vepron sipas qasjes së sipër cekur vetëm vazhdohet ajo trashëgimi ku se secili kërkon vetëm hise familjare ne kuadër të partisë. Natyrisht, kjo frymë u ka krijuar fitore të brendshme  këtyre të fundit, por e ka shtruar rrugën e vazhdueshme të humbjeve të jashtme. Prandaj, Bedri Hamza e ka të domosdoshme të dalë jashtë kësaj vorbulle vetë-destruktive.