Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > REL:Blinken arrin në Shqipëri

REL:Blinken arrin në Shqipëri

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, arriti në Shqipëri më 15 shkurt për vizitë njëditore. Zyrtari i lartë amerikanë do të zhvillojë takime me krerë shtetërorë, me të rinj dhe afganët që po strehohen në këtë shtet.

Kjo është vizita e parë e kryediplomatit amerikan në Tiranë dhe sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ajo do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Me rastin e vizitës Blinken pritet edhe të riafirmojë raportet me aleaten kyçe të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe me aleatë në mbështetje të luftës se Ukrainës kundër pushtimit rus.

Sipas zëvendësndihmës sekretares amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Yuri Kim, vizita në Tiranë përkon me fillimin e shekullit të dytë të raporteve SHBA-Shqipëri.

“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të takohet me Blinkenin do të kenë një konferencë të përbashkët për media, tha më herët se vizita e zyrtarit të lartë amerikan tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.

“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh, as një fuqi ushtarake. Por, më sa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshëm dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak”, tha Rama më 14 shkurt.

Përveç takimit me Ramën, Blinken do të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryediplomati amerikan do të mbajë një fjalim në një ngjarje për të rinj që organizohet për të shënuar “të ardhmen e raporteve SHBA-Shqipëri”, thuhet në ueb-faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai do të marrë pjesë një ceremoni për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi për programin e këmbimit të studentëve Fulbright dhe në nënshkrimin e një memorandumi kundër manipulimit informativ nga një shtet i huaj.

Blinken po ashtu do të takojë afganët e strehuar në Shqipëri, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë vizitës së Blinkenit, ka të ngjarë që të adresohen edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Associated Press. Në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka pasur përparim të ngadaltë, ndërkaq kohë pas kohe ka pasur incidente të dhunshme që kanë rritur frikën për paqëndrueshmëri. SHBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur shqetësimet lidhur me vendimin e fundit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave. Kjo monedhë, që nga paslufta, përdoret në zonat ku serbët jetojnë në Kosovë.

Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.

 

Themes by WordPress