Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka miratuar rregulloren e re për operacionet me paratë e gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.
Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.”, thuhet në rregullore.
Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.
Autoritetet e Kosovës s’kanë folur për këtë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka alarmuar në dy ditët e fundit. Ai ka thënë se me këtë “Kurti shkatërron dialogun për normalizim”.
Vuçiq, të mërkurën është takuar në Zvicër me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak. Ai duke folur për media, ka thënë se ka folur me krerët e disa shërbimeve të inteligjencës dhe me Miroslav Lajçakun dhe se “iu ka kërkuar atyre që ta ndalojnë Kurtin në përpjekjen për ta shkatërruar dialogun”.
Presidenti serb ka folur për një përpjekje të kryeministrit Kurti për të “ndaluar pagesat e pagave dhe pensioneve të serbëve lokalë që punojnë në shëndetësi, arsim e institucione të Serbisë”.
Vuçiq ka thënë se “kjo nënkupton një largim të serbëve nga Kosova”.
Vuçiq edhe dje ka folur lidhur me atë se ka paralajmërime që Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ndalojë përdorimin e valutës shtetërore serbe ( dinarin), në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Ai ka thënë se Kosova gjithashtu është e gatshme të konsiderojë anulmin pagesave dhe transaksioneve me Serbinë.
”Ne morëm një njoftim nga Prishtina se janë të gatshëm të konsiderojnë anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë, ndalimin e përdorimit të dinarëve dhe bastisjen e Postanska Banka, njëra nga dy bankat që operojnë me dinarë dhe sipas sistemit serb”, ka deklaruar ai.
/TV Arbëria