Ish- burgosuri politik, Idriz Mehmet, ka rrëfyer në emisionin “ARB Debat” në Arberia TV një histori të panjohur deri më tani nga fillimet e organizimit të luftës çlirimtare.
Ai tregoi se në shkurt të vitit 1992 kishte marrë një ftesë personale nga komandanti legjendar Adem Jashari për t’u takuar në Prekaz.
“Ishte shkurti i 1992, mua më qoj fjalë Adem Jashari përmes nipit tim Adem Nurës, eja në Prekaz se kam punë me ty, dhe unë e mora veturën edhe u nisa për Prekaz”, rrëfeu Idriz Mehmet.
Sipas tij, në odën e Jasharajve ndodheshin Adem e Hamëz Jashari, plaku Shaban Jashari, Jakup Nura dhe Adem Nura. Qëllimi i takimit ishte i qartë: Adem Jashari dëshironte të gjente një telefon për t’u lidhur drejtpërdrejt me bacën Rifat Jashari, i cili asokohe ndodhej në Gjermani.
“Qëllimi i Ademit që më kishte bërë ftesë ishte për të gjetur një telefon sepse dëshironte të kontaktonte direkt me bacën Rifat Jashari në Gjermani që ishte atëherë, edhe unë mendova ku është ma lehtë e ma mirë, ma e mundshme e ma pak rrezik dhe ia spjegova se mundësitë janë shumë të kufizuara”, tha ai.
Idriz Mehmet tha se Adem Jashari kishte shumë besim tek ai dhe nuk pranoi asnjë paralajmërim për rrezik.
“Ma kërkonte mu telefonin sepse kishte shumë besim në mua, e dyta edhe mund ta ketë ditur se mund ta ketë dikush nga të afërmit e mi një telefon. Pavarësisht se i thash se ka rrezik, Ademi nuk ka dashtë me dëgju për rrezik”, kujtoi ai.
Ai tregon se i kishte propozuar Ademit një zgjidhje, pavarësisht rrezikut që përfshinte praninë e një ish-shefi të policisë serbe në të njëjtën ndërtesë.
“I thash e kam një djalë të axhës, i cili është 12-13 vjeç që e kanë një telefon edhe të cilin mundemi me përdor pa asnjë problem, por në të njëjtën hyrje punonte një ish shef i policisë, një faqezi, Ahmet Dobruna në ndërtesën prapa nesh. Ai jetonte një kat më poshtë se axha im edhe kur i thash se ishte ish shefi i policisë, ai e dinte se kush është Ahmet Dobruna, ai më tha se këtu jemi shumë më të sigurt. I thash si mund të jemi më të sigurt, tha ia vendosim revolen në qafë edhe i thojmë ose nxirrna ose po shkojna bashkë”, tregoi ish-ushtari.
Sipas tij, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe Jakup Nura ishin të armatosur me kallashnikov, bomba dhe revole, ndërsa ai vetë kishte vetëm një revole.
“Kemi ardh nga Prekazi, kemi ndjekë rrugën alternative dhe kemi ardhë pa asnjë problem. Jemi ardhë edhe jemi ngjitur në katin e fundit ku ka qenë axhi im, ndërsa ish shefi i policisë ishte një kat para axhit edhe neve na është dashtë me kalu nga dera e tij. Edhe jemi ngjitur, kemi bërë muhabet, kemi pirë edhe çaj”, tha Idriz Mehmet.
Pas vendosjes së lidhjes telefonike, Adem Jashari kishte biseduar me bacën Rifat, si dhe me dy persona të tjerë – një në Zvicër dhe një në Gjermani.
“Ka bisedu me bacën Rifat, po ka bisedu edhe me dy njerëz tjerë, njëri në Zvicër e tjetri në Gjermani, dhe krejt çka mbaj mend nga bisedat unë, qëllimi i të gjitha bisedave ishte se kush neve na qiti, neve me listë po na kërkon policia serbe”, rrëfeu ai.
Sipas Idriz Mehmetit, në ato ditë, Adem Jashari ishte shumë i shqetësuar dhe i interesuar të zbulonte burimin e dekonspirimit.
“Ademi ishte shumë i interesuar me ditë se nga erdhi dekonspirimi”, përfundoi ai.