Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka prezantuar raportin me qëllim inicimin e rishikimit të teksteve të lëndës së gjuhës shqipe dhe të matematikës nga klasa 1-9. Kjo nismë është pjesë e projektit “KosEd: Përkrahje për arsimin fillor dhe të mesëm të lartë”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka pohuar se prezantimi i gjetjeve dhe rekomandimeve është rezultat i një pune të rëndësishme dhe dëshmi e një serioziteti drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në nivelin para universitar.
Ajo ka shtuar në fund se ky raport tregon se “shumica e teksteve shkollore nuk janë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve, shumë nga tekstet janë të gjata, me jo mjaftueshëm ilustrime dhe shpeshherë pa mesazh, sepse këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës së Kosovës, duke sjellë mesazh për historinë tonë”.
Kurse, Anne Sophie Houee, nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se dëshiron të urojë të gjitha palët e përfshira në procesin e rishikimit të teksteve, me dëshirën që ky proces të vazhdoj tutje. Ndërkohë, udhëheqësi i ekipit të projektit Kos Ed, Alexis De Roquefeuil, theksoi se ky proces ka qenë një nga punët e rëndësishme për Zyrën e Bashkimit Evropian, pasi BE ka mbështetur vazhdimisht arsimin në Kosovë.
Mirëpo, njohësit e proceseve arsimore kanë potencuar se as ky raport nuk i adreson si duhet shkeljet që janë bërë ndër vite nga Ministria e Arsimit në botimin e teksteve shkollore.
Shukri Klinaku nga shtëpia botuese Luarasi, ka potencuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë falsifikime dhe shkelje të rënda ngase në mënyrë arbitrare e ka larguar e tekstin e matematikës për klasat e treta, pa asnjë kriter.
Po ashtu, ky raport ka lëshime serioze sepse nuk i adreson shkeljet ligjore që janë bërë në vazhdimësi sa i përket prodhimit të librave. E një shkelje flagrante që sa ekziston ligji për tekstet shkollore që nga viti 2006, sipas Sh.Klinakut qëndron në faktin, se në ligj shkruan se Komisioni i ankesave është i posaçëm, dhe nuk mundet me i trajtuar ankesat e autorëve dhe shtëpive botuese një komision që është i përgjithshëm për çështje disiplinore etj.
E një komision i tillë në vazhdimësi vetëm i ka refuzuar ankesat, por kurrë pa i trajtuar. Për më tepër sipas këtij raporti del se nxënësit në klasën e tretë nuk mësojnë fare matematikë. E tëra kjo sepse në mënyrë të paligjshme është larguar ky libër nga përdorimi.
/TV Arbëria