Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka deklaruar se në Projektligjin për Mbështetjen e Marrëveshjes së Brukselit, të dorëzuar para disa ditësh në Kongresin Amerikan, mbështetja amerikane për autoritetet në Prishtinë kushtëzohet drejtpërdrejt me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Gjuriq vazhdoi me propagandë duke thënë se dokumenti i cili u dorëzua nga kongresmenja Claudia Tenney, bashkëkryetare e grupit serb në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, , “jo vetëm që njeh represionin, terrorin dhe dhunën që është kryer në mënyrë flagrante kundër serbëve në Kosovë e Metohi për muaj të tërë, por gjithashtu ndalon të gjithë ndihmën e qeverisë amerikane për institucionet e Kurtit deri në përfundimin e veprimeve të tilla”.
“Përkrahja amerikane për autoritetet në Prishtinë është e kushtëzuar drejtpërdrejt nga formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe përfundimi i fushatës së presionit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut të serbëve në krahinën tonë jugore. Ky propozim i Klaudia Tenit është kërkesa që të tërhiqen të gjitha të ashtuquajturat forca speciale, pra t’i jepet fund pranisë së tyre të paligjshme. Kjo, mund të thuhet, është një risi në qasjen amerikane ndaj palës shqiptare”, theksoi Gjuriq në një intervistë, transmeton lajmi.net.
/TV Arbëria