Shkruan: Afrim Kasolli
Romani i sapo botuar “Livia” i shkrimtarit Mark Pashku e pasqyron një përkushtim të veçantë të autorit për t’u thelluar në sprovat, dilemat, si dhe kuptimin ekzistencës dhe jetës njerëzore. Mbase e kuptueshme, sepse siç thotë, shkrimtari i njohur çek, Milan Kundera, në librin “Arti i Romanit”, një nga misionet e kësaj gjinie letrare, mbetet pikërisht zbulimi i qenies, si dhe ndriçimi i fateve dhe përvojave personale.
Po ashtu, nuk e rastësishme që mendimtari i njohur amerikan, Richard Rorty në veprën e tij, “Kontigjenca, Ironia dhe Solidariteti” konstaton se kultura letrare duhet të jetë një horizont i patejkalueshëm i epokës sonë. Për më shumë edhe vet filozofia dhe feja sipas tij sot duhet të transformohen në zhanre letrare, sepse jeta dhe misteret e saj, forcat imperesonale e kaotike që na rrëmbejnë nga njëra situatë absurde në tjetrën, mund të kristalizohen shumë më shumë nga pikturimi i fateve të veçanta njerëzore, e jo nga skemat gjeneralizuese.
Përjetime të tilla gjenden të gavruara në romanin “Livia” nëpërmjet krye personazhit Lekë Bardhi në një qytezë të quajtur Holta. Si një profesor historie ai mbetet i pasionuar pas trashëgimisë së këtij vendbanimi, deri sa jeta e tij merr një kthesë të befasishme.
Ndërkohë, ky dedikim nuk është i rastësishëm, sepse Lekë Bardhi është i vetëdijshëm, se kjo “arkeologji”, kulturore dhe historike, nuk është vetëm një muze i vjetërsuar shpirtëror, e pa asnjë rendësi për të tashmen dhe të ardhmen. Por thesari i saj e formëson atelienë e identitetit tonë si individual ashtu edhe kolektiv. Sepse siç ka pohuar historiani i njohur francez, Alesk de Tokvil kur e “kaluara nuk e ndriçon të ardhmen e tashmja endet në errësirë”. E një mugëtirë e tillë fillon ta pushtojë gradualisht jetën e Lekë Bardhit. Por mjerisht ajo nuk është vetëm e tij. Por tejqyra e një tjetërsimi shoqëror, politik dhe moral i ambientit social ku është i detyruar të jetojë.
Jeta e gjatë nën shtypje kishte lënë vragë të thella në të gjitha makrostrukturat dhe mikrostrukturat e kësaj shoqërie. Perandoria Romake, Osmane, Fashizmi e Komunizmi e kishin kultivuar një vetëdije “vetëm për tjetrin e jo për vetën”, pa të cilën nuk mund të mbijetojë asnjë komb. Nënshtrimi ndaj autoritetit të jashtëm ishte glorifikuar si e vetmja levë për karrierën dhe afirmim. Madje në sytë e Lekës edhe titujt e dhënë shumë më parë nga okupatorët vazhdonin të nderoheshin akoma më shumë se titujt e dalë nga shkollat e vendit. Prandaj edhe në këtë klimë të gëzoje ndonjë pozitë nuk ishte privilegj. Përkundrazi, ngritja e jashtme shkonte paralelisht me humbjen e brendshme morale. Paradoks ky, çfarë e kishte bërë Lekën të ishte indiferent nga këta tituj. Derisa për shkak të të këtij karakteri jo konformist befas do mbetet edhe pa vendin e punës. Ajo që e kishte mbajtur gjallë këtë komb ishte familja, por që tashmë edhe kjo celulë po pësonte trandje.
Peshën e kësaj anomie sociale ai filloi të ndjente edhe brenda familjes së tij. Raportet ndërmjet tij dhe bashkëshortes Livia fillojnë të bëhen gjithnjë e më të huaja për njëri-tjetrin. Është jashtëzakonisht impresive mënyra se si Marku e rrëfen këtë prapakthim. Tashmë e dyta vihet në kërkim të jetës së saj. Mëton ta zbulojë një identitet të ri të panjohur deri më tani për të. Sepse çdo kush duhet ta jetojë jetën e vet. Pa kufizime. Madje edhe vajza Arlina si e rritur që është.
Por lirisht mund të themi se ky rrëfim letrar i Markut e fiton statusin e një kumti sociologjik mbi fenomenin e divorcit. Bie fjala, Diana Vaughan në librin “Uncoupling: Turning Points in Intimate Relationships” konstaton se psikologjikisht ky proces zhvillohet nëpërmjet disa fazave. Gjatë hulumtimeve të bëra në shumë raste ajo vuri re, se para se të ndodhte ndarja fizike, kishte ndodhur një ndarje sociale- ku të paktën njëri nga partnerët fillonte një mënyrë të re jetese, zhvillonte interesa të reja, bënte miq të rinj, në një kontekst ku mungonte partneri tjetër.
Mirëpo, shkaqet e këtyre shtysave mbase kanë gjetur një shpjegim brilant në kategorinë e modernitetit fluid të Zygmundt Bauman. Sipas këtij sociologu, në të librin me të njëjtin titull, nuk mund të mohohet fakti se sot shoqëritë njerëzore i nënshtrohen një presioni të madh për shkak të pasigurisë, paqartësisë dhe rrezikshmërisë. Kështu, “politika e pasigurisë së qëllimshme, e ushtruar nga operatorët e tregjeve të punës ndihmohet e mbështetet (me efektet e veta të përforcuara) nga politikat jetësore, qoftë të adoptuara qëllimisht, qoftë të përqafuara në mungesë të alternativës. Të dyja konvergojnë në të njëjtin rezultat; venitjen dhe tharjen, rrënimin dhe shpërbërjen e lidhjeve njerëzore, të komuniteteve dhe partneriteteve” . Lidhjet e dikurshme që motivoheshin nga parimet “ gjersa vdekja të na ndajë”, po bëhen gjithnjë e më shumë kontrata të llojit “sa të jetojë kënaqësia”, pra të “përkohshme dhe kalimtare për nga përkufizimi, nga natyra dhe nga impakti pragmatik”, ku ato mund të prishen në mënyrë të njëanshme, sapo “njëri nga partnerët, nuhat me shumë mundësi dhe vlerë më të mirë në mundësinë e shkëputjes nga partneriteti, në vend së të përpiqet ta shpëtojë lidhjen me çdo çmim, sado i pallogaritshëm”.
Dhe pikërisht jeta Lekë Bardhi kalon në një luftë herë të hapur e here të heshtur kundër kësaj fryme. Sepse në ngjashmëri me tezat e Hegelit mbi kufizimet e kënaqësisë, Marku nëpërmjet këtij personazhi e mbron atë vizion, ku ajo formë e jetës e cila është vetëm në kërkim të kënaqësive momentale, është e pamundur të plotësohet, bëhet e jo plotë, prandaj edhe në fund pashmangshëm pushtohet nga mërzia dhe ankthi i zbraztësisë. Kurse herët apo vonë ndjekësit e saj bëhen skllevër të dëshirave të tyre, në vend se të jenë zotërues të fatit të tyre. Prandaj, kjo jetë e nxitur nga këto pasione ofron vetëm iluzionin e satifaksionit momental, por jo kuptimin duhur të jetës.
E kjo e fundit për autorin Mark Pashku, është imperative të kërkohet në labirintet e asaj dashurie që i tejkalon pasionet e çastit dhe fqinjëron me kultin hyjnor të lidhjes së njeriut me njeriun. Ndonëse në të gjitha faqet e librit, duket sikur Lekë Bardhi është një viktimë e rrethanave fatkeqe që zhvillohen jashtë vullnetit të tij, megjithatë në fund kuptohet se edhe ai në një çast dëshpërimi e hatermbetje personale ishte tunduar nga shkallmimi i kësaj lidhjeje, çfarë e bënë personazhin e romanit të jetë gjatë gjithë kohës i kapulluar nga pesha e padurueshme e fajit. Gjendje kjo që mund të tejkalohet vetëm nga mrekullia e faljes.
Prandaj, romani “Livia” i Mark Pashkut, krahas që pasqyron një anatomi të anomisë sociale, po ashtu ai edhe e dëfton kurën e kësaj plagosje shpirtërore. Prandaj, kjo është edhe njëra nga arsyet që duhet t’i qëndrojmë besnik testamentit të Mario Vargas Llosa, për të mbrojtur romanet në botën në të cilën jetojmë. Sepse shpirti kritik është thelbësor për progresin e shoqërisë. Civilizimi do të varfërohej shumë nëse letërsia do të zhdukej ose nëse do të bëhej thjesht një argëtim, një argëtim sipërfaqësor. E Marku me romanin “Livia” tregon mbi pasojat trishtuese nëse vetëm kjo e fundit shndërrohet në normë dhe ideal jetësor, dhe nëpërmjet kulturës letrare shqiptare autori e ka pasuruar shpirtin e domosdoshëm kritik./tvarbëria/