Analisti politik Afrim Kasolli, në “ARB Debat” me Rid Berishën në TV Arbëria, ka folur për rolin e NATO-së në Kosovë.
Ai lidhur me këtë ka përmendur një shembull, ku FSK-ja ka marrë pjesë në trajnimin e trupave ukrainase me një ekip britanez, gjë që, sipas Kasollit, tregon më së miri rolin e partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin e forcave të sigurisë të Kosovës.
“Para pak ditësh kam pasur rastin të shoh një dokumentar në BBC për trupat ukrainase që po trajnoheshin nga forcat britanike në territorin britanik për t’u ballafaquar me Rusinë, dhe pjesë e atij ekipi për të trajnuar forcat ukrainase ishin edhe pjesëtarët e FSK-së. Ky shembull është pasqyra më e mirë e kontributit që kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë në ndërtimin e forcave të sigurisë së Kosovës dhe rolin që ka kjo forcë. Sot, forcat e sigurisë së Kosovës, forcat ushtarake të Kosovës, ushtria e Kosovës është pjesë e aleancës perëndimore për të ushtruar dhe trajnuar forcat ukrainase për ta përballuar agresionin rus. Duhet të jemi krenarë,” ka thënë Kasolli. /TV Arbëria