Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Rohde i shkon në ‘konak’ KOSTT-it: Integrimi i komunave në veri, hap i rëndësishëm

Rohde i shkon në ‘konak’ KOSTT-it: Integrimi i komunave në veri, hap i rëndësishëm

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka takuar kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it, Evatar Zeqiri, derisa ka theksuar bashkëpunimin e madh me Gjermaninë dhe Kosovën në sektorin e energjisë.

Në një postim në platformën “X”, Rohde thotë se integrimi i mëtejshëm i komunave veriore është një hap i rëndësishëm për biznesin e qëndrueshëm të operatorit.

“Gjatë një takimi mjaft informues me kryeshefin e KOSTT, Evatar Zeqiri, ambasadori Rohde theksoi bashkëpunimin e madh me Gjermaninë dhe mbështetjen e kahershme të KfW Bankengruppe në sektorin e energjisë. Integrimi i mëtejshëm i katër komunave veriore ka qenë një hap i rëndësishëm për biznesin e qëndrueshëm të operatorit”, ka shkruar ambasadori gjerman në “X”.

 Ditën e djeshme, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar kërkesën e KOSTT-it për ndryshim/modifikim të licencës, kjo pas nisjes së faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT), ka kërkuar nga ZRRE fshirjen e nenit 5 në licencë, nen ky që obligonte KOSTT-in të mbulojë humbjet e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Ymridin Misini nga ZRRE ka paraqitur këtë kërkesë të KOSTT-it para bordit të këtij institucioni.

“ZRRE në janar të 2024 ka pranuar nga KOSTT kërkesën për ndryshim të licencës, respektivisht për lirimin nga obligimi për mbulimin e humbjeve të energjisë në veri. Elektroserveri është licencu nga ZRRE për furnizimin me energji në katër komunat veriore. Me datë 01.01.2024 KOSTT ka njoftuar se furnizuesi Elektrosever ka filluar të dorëzoj në KOSTT sistemin për menaxhimin e tregut , nominimet fizike dhe kontaktuale për të gjithë konsumatorët. Ndërsa në anën tjetër përmes nenit 5, KOSTT është i obliguar që të mbulojë humbjet andaj KOSTT kërkon largimin e obligimit për mbulimin e humbjeve, respektivisht të fshihet neni 5″- tha ai.

Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se me fillimin e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, përfundon obligimi i KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike. /TV Arbëria

 

 

 

 

 

Powered by WordPress