Ylli italian i futbollit Roberto Baggio është grabitur në vilën e tij rurale pranë Vicenza të enjten mbrëma.
Të paktën pesë grabitës të armatosur hynë në shtëpinë e familjes së Baggio-s në Altavilla Vicentina ndërsa ai ishte duke parë ndeshjen e Italisë kundër Spanjës në turneun Euro 2024, raportojnë mediet e huaja.
Pasi është përballur me sulmuesit, njëri prej tyre e ka goditur me kondakun e armës. Siç raportohet, Baggio kishte pasur nevojë për trajtim mjekësor, ndërsa familjarët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Grabitësit arritën të vidhnin para dhe bizhuteri pasi e mbyllën atë dhe familjen e tij në një dhomë të veçantë.
Baggio është një nga ikonat më të mëdha të futbollit të Italisë, duke marrë famë veçanërisht gjatë Kupës së Botës 1994.