Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Rizvanolli: 15 milionë euro për subvencionim në efiçencë të energjisë

Rizvanolli: 15 milionë euro për subvencionim në efiçencë të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se në kuadër të planit emergjent prej 75 milionë eurove të përkrahur nga Bashkimi Evropian, Ministria e Ekonomisë që nga ky vit do të fillojë zbatimin e masave të efiçencës së energjisë që kapin vlerën prej 15 milionë eurove. 

Në takimin ku u diskutua për masat e pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike evropiane dhe masat e efiçencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore të destinuara për banim social (në pronësi komunale), Rizvanolli tha se target-grup kanë sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

“Për sektorin rezidencial, pra për familjet, do t’i subvencionojmë pajisjet ngrohëse efiçente siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, duke përfshirë këtu klimat, kaldajat, stufat dhe pajisje të tjera shtëpiake që kanë potencial për kursim të energjisë që janë frigoriferët dhe të tjera. Kemi pasur biseda edhe me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kam adresuar tek ai kërkesën për të ndërmarrë hapat për të standardizuar dhe harmonizuar legjislacionin sekondar i cili ka të bëjë me instalimin e sistemeve solare fotovoltaike për vetëkonsum që ka qenë edhe një ndër kërkesat e juaja në takimin e kaluar dhe ministri na ka premtuar se do t’i ndërmarrin hapat me prioritet që nga java e ardhshme, shpresoj”, u shpreh Rizvanolli në një takim me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet të Qeverisë dhe Komunave.

Në takimin me kryetarët e komunave, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, Rizvanolli tutje tha se sivjet për herë të parë do të subvencionohen ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për pajisje ngrohëse efiçente dhe pajisje teknologji efiçente.

“Hartimi i këtyre masave është bërë me ndihmën e ekspertëve të fushës, të donatorëve dhe shoqërisë civile, dhe i falënderoj pafundësisht për vlerësimin e nevojave të qytetarëve dhe bizneseve. Bashkëpunimi me komunat është tejet i rëndësishëm që ju të angazhoheni që qytetarët e komunave të jenë të informuar dhe të kenë përkrahjen e duhur gjatë procesit të aplikimit për qytetarët që kanë nevojë për një ndihmë të tillë”, tha Rizvanolli.

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress