Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës

Rivarrosen mbetjet mortore të dy viktimave të luftës

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu.

Në një njoftim në Facebook, Komisioni bëri me dije se pardje (18 dhjetor) është bërë rivarrimi i mbetjeve të Feriz Mrasorit në Pastasel të Rahovecit, ndërsa sot në Strofc të Vushtrrisë janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut.

Të shtunën do të rivarrosen mbetjet mortore të Sylejman Demës në Rahovec.

“Pas gjetjes dhe zhvarrimit gjatë vitit 2023, dhe procesit të identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesave të familjeve, janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu. Më 18 dhjetor 2024, në Pastasel, u krye rivarrimi i mbetjeve mortore të Feriz Mrasorit. Sot, më 20 dhjetor 2024, në varrezat e fshatit Strofc, janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut. Ndërsa nesër, më 21 dhjetor 2024, në Rahovec, do të kryhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Sylejman Demës”, thuhet në njoftim.

Komisioni ka theksuar se tre viktimat e luftës në Kosovë ishin në listën e personave të zhdukur.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur, për të respektuar të drejtën e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë”, thuhet në njoftim.